Vazhdon shqyrtimi gjyqësor kundër Menderes Sinanit me shokë

Raporton: Valdet HAJDINI

Lipjan – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën, para gjyqtarëve të EULEX-it, është mbajtur seanca gjyqësore, ndaj të akuzuarve për korrupsion dhe krim të organizuar Menderes Sinani dhe Vahid Tahiri. Gjatë kësaj seance është ndëgjuar dëshmitari Ramadan Kqiku, i cili u përgjigj në pyetjet e prokurorit për lidhjen e tij me të akuzuarin Menderes Sinani dhe njohjen e tij të mundshme me të akuzuarin me nofkën Dani.

Në pyetjet e prokurorit, Drew Engel, rreth përvojës së punës së dëshmitarit në Policinë e Kosovës, dëshmitari u përgjigj se “qe 14 vite punon si polic, ndërsa deri para dy viteve kishte punuar si polic hetues në Policinë e Kosovës”. Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit nëse dëshmitari është në dijeni, se Menderes Sinani njihet me një person të quajtur Dani, dëshmitari tha se ai i kishte parë disa herë duke pirë kafe së bashku, por nuk mund të konfirmonte nëse njiheshin mes vete apo vetëm kishin qëlluar në shoqërinë e njëjtë duke pirë kafe.

Në këtë seancë, përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar Bidajet Sylejmani, avokati Bekim Sylejmani, e ka njoftuar gjykatën se do të parashtroi kërkesë për kompensim të dëmit pasuroro-juridik. Me tej, ai tha se gjykatës do t’i kërkoi angazhimin e një eksperti financiar, i cili do të vërtetoi dëmin material të shkaktuar me vepër penale të dëmtuarit, si dhe angazhimin e një eksperti të psikologjisë, i cili do të konstatoi dëmin moral dhe psiqik që u është shkaktuar të dëmtuarve në këtë rast.

Në lidhje me propozimet e përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar, kryetari i trupit gjykues Piotr Bojarczuk, tha se trupi gjykues do ta analizoi me kujdes kërkesën, ndërsa kërkoi nga përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar që propozimet t’i sjellë në mënyrë të shkruar dhe zyrtare, duke specifikuar elementet që duhet të vërtetohen me ekspertizë.

Kryetari i trupit gjykues Piotr Bojarczuk, i ka njoftuar palët se me 16 dhjetor 2015, prokurori ka dorëzuar plotësimin e aktakuzës, me vepra tjera penale për të akuzuarit Menderes Sinani dhe Vahid Tahiri. Në anën tjëetër, prokurori Drew Engel tha se plotësimin e aktakuzës e ka bërë për faktin se gjatë shqyrtimit gjyqësor janë paraqitur fakte të reja, e të cilat vërtetojnë kryerjen e atyre veprave penale.

Seanca e së hënës u ndërpre, për shkak se gjyqtarja Marie Tuma ishte e sëmurë dhe nuk mund të vazhdonte më tej, ndërsa seanca e ardhshme u caktua për 17 mars 2016, në ora 9:30.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë