VAZHDON SHQYRTIMI DYTËSOR NË RASTIN E DALLAVEREVE ME ORËT ELEKTRIKE

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë – Ka vazhduar procesi gjyqësor në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj Vjollca Ajvazit, Drita Hamitit dhe Avni Alidemajt, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Në seancën e së martës, gjatë shqyrtimit dytësor, mbrojtësit e të akuzuarëve paraqitën kundërshtimet për hudhjen e aktakuzës.

Në fillim të seancës gjyqtari i vetëm i trupit gjykues Shashivar Hoti njoftoi të gjithë palët në procedurë se seacna e kaluar është shtyrë për shkak se i akuzuari Blerim Sokoli, i cili ishte i përfshirë në këtë aktauzë, ka ndëruar jetë. Ndërkohë gjykata ka pranuar çertifikatën e vdekjes nga shërbimi civil, prandaj tutje u vazhdua me procesin gjyqësor ndaj tre të akuzuarëve të tjerë.

Ashtu si dhe është e përcaktuar me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, shqyrtimi i dytë i kësaj lënde u vazhdua me paraqitjen e kundërshtimeve ndaj aktakuzës nga ana e mbrojtjes.

Avokati Granit Vokshi, përfaqësues i Drita Hamitit deklaroi se duke i pasur parasysh rrethanat e reja të krijuara nga ky process gjyqësor, respektivisht duke pasur parasysh që Blerim Sokoli ka ndërruar jetë, konsideron që deklaratat e dhëna si në polici ashtu edhe në prokurori të mos trajtohen si prova, meqenëse si palë e akuzuar nuk do ta kenë mundësinë e ballafaqimit.

Ndërkaq, avokati Feriz Gërvalla, përfaqësuesi i Vjollca Ajvazit deklaroi se e mbështet në tërësi kërkesën të cilën e ka dorëzuar me shkrim në Gjykatë, si dhe shton edhe njëherë se provat e cekura në aktakuzë nuk janë kredibile, meqë e mbrojtura e tij nuk ka keqpërdorur detyrën e saj për t’i sjellë dobi vetes.

Tutje, përfaqësuesja e të akuzuarit Avni Alidemaj, Kaqusha Avdiu deklaroi se nuk kanë parashtruar kërkesë për hudhjen e aktakuzës, pasi që konsiderojnë se është krijuar një praktike gjyqësore, ku pretendimet e mbrojtjes janë vetëm akte formale.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 6 tetor 2015 ka ngritur aktakuzë kundër Blerim Sokolit në cilësi të drejtorit në Agjencionin e Metrologjisë së Kosovës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Vjollca Ajvazit dhe Drita Hamitit në cilësinë e zyrtarëve të Metrologjisë për Madhësi Elektrike dhe Avni Alidemajt në cilësinë e drejtorit ekzekutiv të rrjetit të KEDS. Prokuroria pretendon se gjatë intervalit kohor mars 2013 deri më 5 dhjetor 2014, të akuzuarit duke tejkaluar kompetencat e tyre dhe duke mos kryer përmbushur detyrat e përcaktuara me ligj, kanë kryer vepër penale duke u mundësuar kompanive “Kohler” dhe “KEDS” të përfitojnë dobi pasurore dhe të njejtën kohë t’iu shkaktojnë dëm material konsumatorëve kosovarë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë