VAZHDON SHQYRTIMI DYTËSOR NDAJ AGIM ADEMIT DHE MUHARREM RAMËS TË AKUZUAR PËR BMW X5 QË LIDHET ME SAMI HAMITIN

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën, përballë trupit gjykues të përbërë nga gjyqtarja e vetme Valbona Musliu – Selimaj është mbajtur shqyrtimi dytësor ndaj Agim Ademit dhe Muharrem Ramës të akuzuar për veprat penale detyrimi dhe ushtrimi i ndikimit.

Kjo aktakuzë është ngritur në bashkëpunim të Prokurorisë Themelore të EULEX-it me Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Sipas pretendimeve të prokurorit të EULEX-it Maarten Groothuizen dhe prokurorit Ilaz Beqiri në pikën e parë të aktakuzës, të pandehurit Agim Ademi dhe Muharrem Rama gjatë periudhës kohore 12  korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kanë kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit BMW X5, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.

Ndërkaq në pikën e dytë të aktakuzës të pandehurit Ademi dhe Rama akuzohen për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje pasi që në të njejtën periudhë kohore të lartë cekur ata kanë kërkuar nga Kadolli premtimin e përfitimit të pa drejtë, respektivisht shumën prej 30.000.00 euro apo veturën e tipit BMW X5, duke kërkuar ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast është Kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshoj statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.

Tutje, ashtu edhe siç është e paraparë me dispozitat ligjore shqyrtimi i dytë konsiston në paraqitjen e kundërshtimeve ku mbrojtësit e të akuzuarve deklaruan se qëndrojnë në tërësi pranë kundërshtimeve të aktakuzës dhe provave të cekura në të.

Lënda tash më i ka kaluar prokurorit Feti Tunuzliu, i cili kërkoi që t’i jepet kohë brenda afatit ligjor prej një jave që të përgjigjet në lidhje me kundërshtimet nga ana e mbrojtjes.

Gjykatësja e vetme e trupit gjykues Valbona Musliu – Selimaj vendosi që këtë kërkesë të aprovoj dhe vendimin lidhur me seancën e ardhshme do t’a marrë me shkrim.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë