VAZHDON SEANCA PËR KORRUPSION NDAJ TË AKUZUARIT ENVER AJETI, PREZENTOHET EKSPERTIZA FINANCIARE

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë – Në seancën e së enjtës të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ndaj të akuzuarit për përvetësim në detyrë, Enver Ajetit, ka dëshmuar eksperti financiar Xhevdet Krasniqi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore, pretendohet se Ajeti në bankë nuk i ka dorëzuar pazaret ditore, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe me këtë rast nga arka ka përvetësuar shumën prej 71 mijë e 744 euro, të cilën mungesë e ka zbuluar komisioni i kontrollës operative regjionale të Postës së Kosovës si dhe Kordinatorja e Financave të Postës së Kosovës.

Krasniqi deklaroi se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet rreth plotësimit të kësaj ekspertize në bazë të kontraktuesve në Postën e Kosovës. Ai tha se prezentë në këtë komision kanë qenë dy përfaqësues, të cilët ishin përpilues të procesit mbi gjetjet në arkë gjatë periudhës të cekur në aktakuzë. Gjatë takimit të tyre Krasniqi bëri të ditur se i kanë ri–trajtuar të gjitha provat e ofruara nga ana e përfaqësuesve dhe mbi bazën e atyre provave kanë konstatuar vërtetimin lidhur me mungesën e mjeteve, sipas provave financiare, përfshirë ngarkesat e zyrës postare. “Të gjitha provat kanë vërtetuar se në arkë është konstatuar vlera e produkteve dhe mjeteve”, tha Krasniqi. Gjithashtu eksperti ka kërkuar nga përfaqësuesit që t’i ofrojnë provat financiare lidhur me praktikat e shërbimit të zyrës postare, të cilat prova kanë vërtetuar se zyra postare në Podujevë, ka praktikuar librin e shitjes për datë të caktuar dhe dëftesen e bankës e cila vërteton se mjetet janë deponuar në bankë.

Përfaqësuesi i të akuzuarit Enver Ajeti, avokati Osman Mehmeti bëri vërejtje në ekspertizë pasi që nuk e sheh të qartë konstatimin e gjendjes si dhe provat plotësuese, andaj i propozoi gjykatës të bëhet nje ekspertizë e re financiare.

Gjykata caktoi seancën e radhës më 9 qershor 2016.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë