VAZHDON SEANCA GJYQËSORE KUNDËR GARDIANIT TË BURGUT TË DUBRAVËS

Raporton: Valdet HAJDINI

Pejë – Në Gjykatën Themelore në Pejë, të  mërkurën, para trupit gjykues të kryesoar nga gjykatësi Sami Sharraxhiu ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor, kundër oficerit korrektues të Qendrës Korrektuese në Dubravë Shaqir Jahaj, i akuzuar për veprën penale marrje e ryshfetit. Në këtë seancë kanë dëshmuar dëshmitarët Sefedin Maxhari, Mehmet Selmanaj, Naim Huli, Naser Igrishta, Haxhi Hetemaj dhe Naim Arifaj, ndërsa mungoi dëshmitari Rushit Thaqi, për të cilin gjykata kishte lëshuar urdhër për sjellje nga policia, e cila e kishte informuar se i njejti gjenet në Gjermani.

Në vazhdim të shqyrtimit gjyqësor, ftohet dëshmitari Sefedin Maxhari për të dhënë dëshminë e vet.

Në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit Shaqir Jahaj, avokatit Nuhi Paçarizi, nëse dëshmitari njihet me të akuzuarin dhe prej sa kohësh, dëshmitari tha se të akuzuarin e njeh që nga viti 2000, kur kishte filluar punën në Burgun e Dubravës. Në pyetjen tjetër të avokatit Paçarizi, nëse dëshmitari e ka njohur të burgosurin Rashit Thaqi dhe nëse ishte shërbyer në kantinën e Burgut të Dubravës, dëshmitari tha se të burgosurin e ka njohur dhe se ishte në dijeni se kishte marr gjëra veresi nga tani i akuzuari Shaqir Jahaj, me obligim që t’a kthehen borxhin deri në fund të javës. Tutje dëshmitari tha se ishte në dijeni që Rashit Thaqi kishte para borxh në kantinë, pasi i kishte treguar Shaqir Jahaj.

Në pyetjen e prokurores së shtetit Sahide Gashi, nëse të burgosurit kanë të drejtë të kenë para apo telefona mobil brenda hapsirave të burgut, dëshmitari tha se një gjë e tillë nuk është e lejuar as për punëtorët e burgut, por as për të burgosurit.

Në vazhdim të shqyrtimit gjyqësor, ftohet dëshmitari Mehmet Selmanaj, për të dhënë dëshminë e vet.

Dëshmitari tha se të akuzuarin e njeh që nga viti 2001, kur kishte filluar punën në kantinën e Burgut të Dubravës. Ai tha se e ka njohur të burgosurin Rashit Thaqi dhe nëse ishte shërbyer në kantinën e Burgut të Dubravës, dëshmitari tha se të burgosurin e ka njohur dhe se ishte në dijeni se kishte marr gjëra veresi nga tani i akuzuari Shaqir Jahaj, por nuk e dinte shumën e parave të marra borxh.

Në vazhdim të shqyrtimit gjyqësor, ftohet dëshmitari Naim Huli për të dhënë dëshminë e vet.

Dëshmitari tha se njihet me të akuzuarin dhe prej sa kohësh, dëshmitari tha se të akuzuarin e njeh që nga viti 2000, ku i njejti ka qenë shef i kantinës. Në pyetjen tjetër të avokatit Paçarizi, nëse i akuzuari kishte dhënë veresi të burgosurve, dëshmitari tha se ka pasur raste kur Shaqir Jaha u ka dhënë veresi gjëra të burgosurve, derisa u vinin parat në konto dhe barazoheshin. Tutje dëshmitari tha se ishte në dijeni se edhe i burgosuri Rushit Thaqi kishte marr gjëra veresi, kjo pasi në bisedë e sipër i kishte treguar tani i akuzuari.

Në pyetjen e prokurores së shtetit Sahide Gashi, nëse punëtorët e burgut mund të fusin para kesh brenda hapësirave të burgut, dëshmitari tha se një gjë e tillë nuk është e lejuar as për punëtorët e burgut, por as për të burgosurit.

Në vazhdim të shqyrtimit gjyqësor, ftohet dëshmitari Naser Igrishta për të dhënë dëshminë e vet.

Në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit Shaqir Jahaj, avokatit Nuhi Paçarizi, nëse dëshmitari njihet me të akuzuarin dhe prej sa kohësh, dëshmitari tha se të akuzuarin e njeh që nga viti 2000, ku i njejti ka qenë shef i kantinës. Dëshmitari tha se i akuzuari ka pasur kontakte me të burgosurit, në rastet kur ata janë ankuar për artikujt e porositur po llojin e tyre. Tutje dëshmitari tha se edhe i burgosuri Rushit Thaqi kishte marr gjëra veresi.

Në vazhdim të shqyrtimit gjyqësor, ftohet dëshmitari Haxhi Hetemaj për të dhënë dëshminë e vet.

Dëshmitari tha se me të akuzuarin ka punuar nga viti 2001 deri në vitin 2004, ku i njejti ka qenë shef i kantinës. Në pyetjen e avokatit Paçarizi, nëse i akuzuari kishte dhënë veresi të burgosurve, dëshmitari tha se ka pasur raste kur Shaqir Jaha u ka dhënë veresi të burgosurve, derisa familjarët t’u sillnin parat në vizitën e parë të tyre.

Në vazhdim të shqyrtimit gjyqësor, ftohet dëshmitari Naim Arifaj për të dhënë dëshminë e vet.

Dëshmitari tha se të akuzuarin e njeh që nga viti 2002, ndërsa me të akzuuarin kam punuar deri në vitin 2004. Ai tha se e dinë që Shaqa u ka dhënë gjëra ushqimore veresi të burgosurve dhe atë derisa u vinin parat në konto dhe barazoheshin.

Në lidhje me dëshmitarin Rushit Thaqi, prokurorja Sahide Gashi tha se “meqenëse nga njoftimi i policisë, rezulton se i njejti gjendet në Gjermani, propozoi që të lexohen deklaratat e tij të dhëna në policic dhe prokurori”. Me këtë propozim të prokurore nuk u pajtua avokati mbrojtës Nuhi Paçarizi, i cili e kundërshtoi propozimin e prokurores, me arsyetimin se ato deklarata janë marr pa prezencën e të akuzuarit dhe avokatit mbrojtës, andaj kërkoi që të njejtat të hidhen. Në lidhje me këtë propozim të prokuroes, trupi gjykues mori aktvendim që të vendosë jashtë seancës, ndërsa palët do të njoftohen për vendimin në seancën e ardhshme.

Seanca e ardhshme për këtë rast gjyqësor u caktua për 25 prill 2016.

Ky proces gjyqësor zhvillohet në bazë të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, me arsyetimin se i akuzuari Shaqir Jahaj në cilësinë e personit zyrtar-Oficer Korrektues, në Qendrën Korrektuese në Dubravë, me datë 3 qershor 2014 përfiton për vete, në kundërshtim me detyrën zyrtare, në atë mënyrë që pas marrëveshjes me të burgosurin Rushit Thaqi, nga familjarët e të njejtit merr shumën e të hollave prej 300.00 euro. Gjithashtu, gjatë periudhës kohore 2002-2014, në vazhdimësi pranon përfitim për vete, duke vepruar në kundërshtim me detyrën zyrtare, ashtu që pas marrëveshjes paraprake me të burgosurin Rushit Thaqi, për çdo shumë të parave të sjellura në burg merr për vete si shpërblim shumën prej 50.00 euro. Ndërsa, për çdo telefon celular që i’a ka sjellur të njejtit merr shuma të hollave prej 150.00 – 400.00 euro.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë