VAZHDON RI-MARRJA NË PYETJE E DËSHMITARIT QEMAJL MUSTAFA NË RASTIN E MTPT-SË

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë – Ka vazhduar gjykimi i rastit MTPT, ku është ri-marrrë në pyetje dëshmitari Qemajl Mustafa nga prokurori i rastit Charles Hardaway. I njëjti  në seancën e së mërkurës tha se ka arritur t’i shqyrtoj të gjitha shkresat e lëndës dhe si rezultat, dëshmitarit nuk do t’i paraqes dokumentet të cilat nuk i posedon.

Marrja në pyetje e dëshmitarit vazhdoi kryesisht rreth rastit të prokurimit, gjegjësisht për prokurimin i cili është ekzkluzivisht brenda komunës dhe brenda autoritetit qendror. Mustafa deklaroi se ekzistojnë komisione për hapjen dhe vlerësimin e ofertave. Më pas ai shtoi se në lidhje me këto komisione, të cilat ekzkluzivisht i përkasin komunës, procedura e emërimit të antarëve të këtij komisioni nis me propozimin e menaxherit të departamentit të prokurimit, ndërkaq miratimin e bën kryetari i komunës. Mustafa shtoi poashtu se emërimi  i drejtorit të prokurimit në komunë shpallet me konkurs të hapur ose me konkurs intern, ku më pas kandidatët i nënshtrohen të njëjtës procecurë.

Gjatë shqyrtimit, prokurori Hardaway, paraqiti disa mesazhe të cilat ishin shkëmbyer në mes të dëshmitarit Mustafa dhe Mehmet Shkodrës, të cilat mesazhe ky i pari i konsideroi shumë të përgjithësuara dhe se i mban mend shumë pak. Lidhur me këtë ai tha se është e vërtetë që i lartëpërmenduri, Mehmet Shkodra, ka qenë i pa kualifikuar që të merret me ndërtimin e rrugeve, ku edhe ai vet ka pranuar se nuk e posedon pergaditjen e duhur. Ai gjithashtu theksoi se me të ndjerin Shkodra janë njohur më shumë se 10 vite dhe se e din saktësisht se me cka është marrë. Tutje, Mustafa bëri të ditur se nuk i kujtohet se Shkodra është ankuar për 9 vite me radhë se “Tali Company” ka fituar gjithmonë tenderin për rrugët në komunën e Gjilanit e as që Fatmir Limaj i ka premtuar të njejtit mirëmbajten e rrugëve. Ndër të tjera, sipas tij, nuk i kujtohet nëse Mehmeti Shkodra ka qenë në takim me Nexhat Krasniqin, në të cilin takim është kërkuar ryshfeti prej 30% të kontratës, për çka  Shkodra është ankuar në Agjensionin Kosovar për Antikorrupsion.

Në këtë seancë mbrojtja konsideroi se dëshmitari nuk po i kupton pyetjet dhe të njëjtat nuk po parashtrohen në mënyrë të duhur. Këtë konstatim e kundërshtoi avokati Tahir Recaj, i cili tha se prokurori po i referohet pyetjeve që kanë të bëjnë me prova ta papranueshme. Si kundërpërgjigjë, prokurori konsideroi se po parashtron pyetje specifike, duke e testuar kujtesen e dëshmitarit dhe duke i bazuar në çështje të cilat ai vet i ka lejuar.

Trupi gjykues njoftoi se në seancën e radhës e cila do të mbahet me datën 28 prill, do të dëshmoj Bekim Shkodra.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë