VAZHDON RI-GJYKIMI NDAJ INSPEKTORËVE TË NDËRTIMIT NË KOMUNËN E GJAKOVËS

Raporton: Diana BERISHA

Gjakovë – Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, të premtën ka vazhduar shqyrtimi kryesor ndaj Faik Bordoniqit, ish-koordinator i inspeksionit të tregut, Bajram Gjoshi, ish-koordinator i inspeksionit të ndërtimtarisë, Iliriana Mamusha – Luzha, ish-Drejtoreshë e inspeksionit e më pas inspektore e tregut dhe Behar Vula, inspektor i ndërtimtarisë,  të akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje.

Në bazë të aktakuzës së Prokurorisë, inspektorët akuzohen se kanë shpërdorur detyrën zyrtare, duke mos i kryer detyrat sipas ligjeve në fuqi dhe detyrat e punës, gjegjësisht duke mos i ndaluar dhe rrënuar ndërtimet pa leje, në pesë raste të ndërtimeve të larta në qytetin e Gjakovës.

Kryetari i trupit gjykues Gezim Pozhegu, tha se ka kërkuar nga Komuna e Gjakovës që të vërtetohet borxhi për secilin objekt.Mirëpo ai bëri të ditur se e njëjta nuk ka pranuar mundësi bashkëpunimi edhe pse këtë e ka kërkuar si eksperti i ftuar për këtë çështje ashtu edhe ushtruesja e detyrës së avokatit publik Vjollca Shyti.

Në këtë proces gjyqësor mbrojtësit e të akuzuarve deklaruan se shteti nuk ka qenë funksional që t’i ndal ndërtimet pa leje dhe se sa i përket çështjes konkrete, inspektorët i kanë kryer të gjitha detyrimet dhe obligimet e tyre. Tutje ata shtuan se Asambleja Komunale dhe Bordi i Drejtorëve e ka shqyrtuar disa herë çështjen e ndërtimeve pa leje. Ata gjithashtu deklaruan se eprorët politikë kanë qenë të informuar për çdo detal lidhur me këtë rast.

Përfaqësuesi i të akuzuarit Behar Vula, avokati Teki Bokshi tha se nuk është vërtetuar elementi qenësor objektiv i veprës penale në këtë aktakuzë. Ai shtoi se Gjykata në këtë rast e ka konsumuar mundësine njëherë dhe akuza është e pa argumentuar si dhe nuk ka nevojë për shtimin e provave të reja.

Ndërkaq përfqësuesi i të akuzuarit Iliriana Luzha – Mamuzha, avokati Avdi Rizvanolli tha se nga provat të cilat janë siguruar nga ana e të akuzuarve del se objektet e cekura në akuzë kanë filluar të ndërtohen në vitin 2006 prandaj ai kërkoi nga Prokuroria të sigurohen prova të veçanta për secilin objekt pasi që të akuzuarit kanë ushtruar detyrën e tyre si inspektorë në afat të caktuar kohor ndërkaq ata tani po akuzohen edhe për objekte të cilat kanë filluar të ndërtohen pas largimit nga puna. Ai gjithashtu shtoi se të pandehurit po akuzohen edhe për disa objekte që në periudhën fillestare të tyre nuk është kërkuar leja e ndërtimit në bazë të Ligjit mbi ndërtimin e objekteve, ku gjysma e këtyre objekteve kanë qenë të karakterit të përkohshëm – montazh për të cilat është kërkuar vetëm pëlqimi për lokacion si dhe projekti mbi Ligjin për planifikim hapsinor. Prandaj përfaqësuesi Rizvanolli tha se mendon se akuza në këtë çështje çalon për mos specifikim të datave për secilin objekt veç e veç.

Prokurori i çështjes Agron Matjani tha se dëmtimi i buxhetit ndaj Komunës së Gjakovës është shumë e përbashkët e palëve për këto objekte shumëkatëshe.

Përgjatë rrjedhës së shqyrtimit kryesor të akuzuarit paraqitën mbrojtjen, duke përshkurar detajisht detyrat dhe përgjegjësitë që dalin nga pozita e tyre. Ata treguan hollësisht koordinimin e punëve duke treguar se si koordinatorë ata asnjëherë nuk kanë marrë urdhëresa ligjore, puna e vetme e tyre ka qenë kontrollimi dhe ndarja e terenit nëpër regjione, plotësimi i procesverbalit si dhe përpilimi i kërkesave për kundërvajtje.

Tutje të gjithë të akuzuarit deklaruan se shumica e objekteve të cekura në aktakuzë kanë poseduar vetëm lejen e urbanistike mirëpo jo edhe lejen e ndërtimit. Lidhur me këtë Inspeksioni i ndërtimtarisë më vonë ka krijuar një listë për të gjitha objektet pa leje që gjithsesi të pajisen me leje të ndërtimit.

Edhe të akuzuarit njëjtë si përfaqësuesit e tyre deklaruan se gjithmonë kanë qenë nën ndikimin e eprorëve të lartë të cilët kanë urdhëru bllokimin e ndërtimeve pa leje.

Ky rast është gjykuar njëherë nga Gjykata Themelore në Gjakovë, ku më pas është marrë aktgjykim lirues, mirëpo me anë të ankesës së Prokurorisë, Gjykata e Apelit e ka kthyer lëndën në rigjykim, me të vetmën arsyje se duhet të vërtetohet gjendja faktike.

Kryetari i trupit gjykues Gëzim Pozhegu seancën e radhës e caktoi më 17 mars 2016, në ora 13:00, në të cilën seancë do të mbahet fjala përfundimtare

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë