Vazhdon procesi në rastin ku paditësit kërkojnë nga Komuna e Prishtinës mbi 54 mijë euro në emër të kompensimit të dëmit

54462649_2339007459663836_6769447484512010240_n
Author

Raporton: Nuraje BLLACA

Prill 7, 2021

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar procedura e ndërprerë në rastin ku tani paditësit, Burim Domi, Valbona Domi, Burbuqe Kelmendi dhe Shkelzen Domi, po kërkojnë nga e paditura, Komuna e Prishtinës, shumën prej 54.065,88 euro, në emër të kompensimit të dëmit për qiranë e humbur mujore për periudhën nga 1 janari 2011 e deri më 31 tetor 2017.

Në seancën e së mërkurës, fillimisht gjykatësja Hidajete Gashi ka bërë të ditur se e autorizuara e propozuesve, avokatja Iliriana Osmani-Serreqi, me anë të një parashtrese së 25 marsit 2020, i ka propozuar gjykatës vazhdimin e procedurës së ndërprerë sipas aktvendimit C.nr.985/11 të 25 nëntorit 2019, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë, e autorizuara e paditësve Osmani-Serreqi deklaroi se i propozon gjykatës të vazhdohet procedura kontestimore me tani trashëgimtarët ligjorë të të ndjerës Florije Domi.

Avokatja Osmani-Serreqi, gjatë kësaj seance, i dorëzoi gjykatës parashtresën për rregullimin dhe precizimin e padisë.

“Përmes të cilës parashtresë identifikohen trashëgimtarë ligjor si paditës dhe meqenëse edhe pas dorëzimit të ekspertizës, plotësimit të ekspertizës dhe deklarimeve të ekspertit Riza Blakaj, nuk ka pasur edhe kërkesa tjera për administrim të provave shtesë, bëhet edhe precizimi i kërkesëpadisë, respektivisht zvogëlimi i kërkesës monetare për kompensim dëmi në shumën e vlerësuar nga eksperti”, deklaroi ajo.

Ndërsa, i autorizuari i të paditurës, avokati Arbër Istrefi deklaroi se e paditura konsideron se provat e dorëzuara nuk janë bazë për vërtetimin e trashëgimisë, pasi sipas tij kjo do të duhet të vërtetohej me vendim mbi trashëgiminë.

Pas kësaj, gjykata me aktvendim ka vendosur të vazhdohet procedura e ndërprerë në këtë çështje juridike si dhe ka lejuar rregullimin dhe precizimin e padisë në kuptim objektiv dhe subjektiv, sipas parashtresës së 7 prillit 2021, ashtu që tani e tutje palë paditëse do të jenë Burim Domi, Valbona Domi, Burbuqe Kelmendi dhe Shkelzen Domi.

Tutje, e autorizuara e paditësve ka thënë se mbetet në tërësi pranë të gjitha parashtrimeve në shqyrtimet paraprake dhe meqenëse nuk ka pasur kërkesa për prova të tjera, i ka propozuar gjykatës që të kalohet në procedurë të administrimit të provave.

Në anën tjetër, i autorizuari i të paditurës ka deklaruar se edhe më tutje mbetet kontestuese baza juridike e kërkesëpadisë, ndërsa tha se ekspertiza financiare nuk është e plotë dhe nuk është e mbështetur në prova të besueshme, që sipas tij do të ishte pagesa e tatimit në ATK në përputhje edhe me kontratën e dorëzuar nga paditësja, të 1 prillit 2018.

“Në nenin 4 të kësaj kontrate, parashihet se tatimi 9% do të paguhet në ATK, i cili tatim do të zbritet nga shuma bruto të cilën shumë bruto eksperti financiar e ka llogaritur sikur të ishte shuma neto dhe shuma e precizuar nga tani paditësit përveç që nuk mbështetet në prova që do të ishte deklarimi i tatimit në ATK, po ashtu nuk është e ndarë shuma se sa do të duhej të paguheshin në buxhetin e shtetit si tatim në bazë të Ligjit për të Ardhura Personale e sa do të duhej t’i takonin paditësve”, tha Istrefi.

Po ashtu, ai tha se kjo kontratë është pasi është ndërtuar objekti dhe e njëjta konsiderojnë se nuk është reale, pasi sipas tij paditësit kërkojnë kompensimit e dëmit nga viti 2011, periudhë kjo kur është dashur t’i ndërtohet lokali, e që sipas tij mbi këtë bazë edhe llogaritja e pretenduar e qirasë mujore do të duhej të bëhej mbi bazën e asaj periudhe e jo mbi bazën e kontratës së vitit 2018.

Avokati Istrefi shtoi se precizimin e pranuar sot e kundërshtojnë edhe sa i përket kamatës ligjore, pasi që tha se kjo e drejtë parashihet me dispozita të LMD-së së vjetër e cila ka qenë në fuqi, e që e kontestojnë edhe periudhën e kërkesës për kamatën.

Seanca ka vazhduar me administrimin e provave dhe më pas të dy të autorizuarit e palëve kërkuan nga gjykata që fjalën e tyre përfundimtare ta dorëzojnë me shkrim.

Lidhur me këtë, gjykatësja Gashi ka obliguar palët ndërgjyqëse që fjalën e tyre përfundimtare ta paraqesin në afat prej 3 ditësh pas marrjes së këtij aktvendimi.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 20 maj 2011, paditësja, tani e ndjera  Florije Domi ka kërkuar nga e paditura Komuna e Prishtinës, përmbushjen e kontratës dhe kompensimin e dëmit.

Në padi thuhet se Florije Domi me Komunën e Prishtinës ka lidhur marrëveshje për dislokimin e pozitës së lokalit afarist nr.010/46-9181 më 16 gusht 2010, për dislokim të lokalit i cili gjendet në Prishtinë, në sipërfaqe prej 29.60 m2, me qëllim të realizimit të projektit komunal për ndërtimin e nënkalimit në bazë të kontratës mbi dhënien me koncesion.

Sipas padisë, marrëveshja obligon Komunën e Prishtinës që pas rrënimit të lokalit, të investojë në ndërtimin e objektit të ri në sipërfaqe prej 27.50 m2, mirëpo e njëjta nuk i ka përfunduar punimet sipas projektit të paraparë.

Mbi bazën e këtyre, paditësja Domi ka kërkuar që të obligohet e paditura që në ngastrën kadastrale nr. 7762, në lagjen “Pejton” në Prishtinë, të ndërtojë objektin e ri me material të fortë, në sipërfaqe prej 27.50 m2, sipas projektit të paraparë me nënshkrimin e marrëveshjes, duke përfunduar punët ndërtimore të vrazhda në objektin afarist, përfshirë edhe kyçjen në infrastrukturë përkatëse dhe atë në afatin më optimal.

Përveç kësaj, me padi kërkohet që e paditura Komuna e Prishtinës, në emër të kompensimit të dëmit, t’ia paguajë paditëses shumën prej 300 euro në muaj, duke filluar nga 1 mars 2010 e deri në përfundimin e punimeve në lokal, sipas marrëveshjes, dhe atë me kamatë ligjore prej 3%.

Ndërkaq, me parashtresën e 7 prillit 2021, është bërë rregullimi dhe precizimi i kërkesëpadisë, ashtu që tani e tutje, pas vdekjes së paditëses Florije Domi, në cilësinë e paditësve do të jenë trashëgimtarët e saj ligjor Burim Domi, Valbona Domi, Burbuqe Kelmendi dhe Shkëlzen Domi.

Po ashtu, me anë të kësaj parashtrese kërkohet që të obligohet e paditura Komuna e Prishtinës, që në emër të qirasë së humbur mujore nga data 01.01.2011 deri më datë 31.10.2017, t’ua kompensojë dëmin në shumë prej 54.065,88 euro me kamatë ligjore nga dita e parashtrimit të padisë si dhe kanë kërkuar shpenzimet e procedurës kontestimore. /BetimipërDrejtësi