VAZHDON MBROJTJEN E SAJ ISH-GJYQTARJA SHEMSIJE SHEHOLLI

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren- Ish-gjytarja Shemsije Sheholli të premten ka vazhduar mbrojtjen e saj në rastin në të cilin akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Gjatë dhënies së deklaratës së saj, e akuzuara Sheholli tha se në lëndën C.nr. 602/03, ka marrë vendim për të caktuar përfaqësues të përkohshëm, pasi nuk ka mundur të gjejë adresën e të paditurit dhe pasi ky përfaqësues nuk kishte bërë ankesë në shkallë të dytë për aktgjykimin e saj. Me këtë rast, sipas të akuzuarës, ajo kishte bërë një kallëzim penal pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë, por një kallëzim i tillë është hedhur poshtë.  Më tej e njejta nuk ka pranuar që të komentojë rreth një kontrate mbi të cilën është marrë vendimi, e në të cilën, sipas mbrojtjes, ka adresë të palës së paditur të asaj kohe me arsye se nuk komenton një dokument jo-origjinal.

Kryetarja e Trupit Gjykues, Raime Elezi, për shkak të përfundimit të orarit të punës, ka ndërprerë shqyrtimin dhe të njëjtin e ka caktuar për datën 06.05.2016, në ora 08:30, në të cilin, e pandehura, pritet të vazhdojë mbrojtjen e saj.

Me datën 12 shtator 2013, Prokuroria e Shtetit, ka ngritur aktakuzë ndaj Shemsije Shehollit me arsyetimin se e njëjta ka kryer veprën penalë “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.  Sipas aktakuzës,  e pandehura duke qenë gjyqtare në ish Gjykatën Komunale në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e paditësve Jetullah, Sherife dhe Naim Krasniqi, me të cilën vërteton se ata janë pronar të një prone, në vendin e quajtur “Kroi i Bardhë”. Me këtë rast, ajo me propozimin e paditësve, i cakton të paditurit, Ustun Sylejman nga Turqia, një përfaqësues të përkohshëm me arsyetimin se i njëjti është zhvendosur në Turqi, në adresë të panjohur dhe nuk ka zbatuar ligjet pozitive që të shpallë vendimin në gazetën zyrtare apo në tabelën e shpalljeve te gjykatës. Me këtë të njejtit i është mohuar e drejta e pjesëmarrjes në kontest, trashëgimtarëve ligjor të të paditurit, Zineta, Ifeta dhe Eroll Nikoqeviq.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë