Vazhdon mbrojtja e të akuzuarve, në gjykimin kundër ish-krerëve të BSPK-së
Raporton: Valdet HAJDINI
Prishtinë – Ka vazhduar mbrojtja e të akuzuarve, në gjykimin kundër tre ish-zyrtarëve të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Bahri Shabani-Kryetar, Rrahman Emini-Arkatar dhe Sami Rrahmani-Vozitës, të akuzuar për veprën penale ”përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës”.
Në seancën e të premtes, ka vazduar mbrojtjen e vet i akuzuari Rrahman Emini, i cili para trupit gjykues të udhëhequr nga gjyqtari Beqir Kalludra, deklaroi se shumën prej 11.500 euro i kishte tërhequr nga Arka e BSPK-së.
“Për tërheqjen e atyre mjeteve kam pasur urdhëresë të nënshkruar nga Kryetari i BSPK-së Bahri Shabani dhe Nënkryetari për Çështje Financiare Ali Dragusha”, tha i akuzuari Emini.
Në pyetjen e prokurorit Ilaz Beqiri, se për çfarë qëllimi ishin nxerr parat, i akuzuari Emini deklaroi se ka pasur një kontratë mes BSPK-së dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale-MPMS për dhënien e atyre mjeteve si huazim.
“Detyrë e imja si arkatar ka qenë zbatimi i urdhërave të Kryetarit, jo edhe verifikimi se a janë kthyer mjetet apo se si kanë qenë kushtet për kthimin e tyre, sepse verifikimi ishte në përgjegjësi të financierit”, tha i akuzuari Emini.
Në këtë seancë ka filluar mbrojtjen edhe i akuzuari i fundit, Sami Rrahmani, i cili deklaroi se në BSPK-ë ka punuar nga 2002 deri në 2007, kur ishte larguar nga puna.
Në pyetjen e avokatit mbrojtës Ali Beka, në lidhje me dërgimin e parave në MPMS, i akuzuari Rrahmani tha “se i kujtohet që shumën e parave prej 11.500 euro e ka dërguar në MPMS, ato mjete ia kishte dorëzuar Veli Lecajt, por atë ditë nuk kishte marr asnjë dokument të nënshkruar”.
“Pas dy-tri ditëve më kujtohet të më ketë thirrur Veli Lecaj për të më dhënë kontratën, kur kam shkuar ai vet me dorën e tij e ka nënshkruar kontratën dhe ma ka dhënë”, tha i akuzuari Rrahmani.
Për shkak të përfundimit të orarit të punës u ndërpre seanca, ndërsa mbrojten i akuzuari Rrahmani do ta vazhdoi në seancën e ardhshme
Seanca e radhës u caktua për 10 nëntor 2016, me fillim në ora 13.00.
Prokuroria Themelore në Prishtinë i akuzon tre ish-zyrtarët e BSPK-së, Bahri Shabani-Kryetar, Rrahman Emini-Financier dhe Sami Rrahmani-Shofer, se të njëjtit kanë keqpërdorur pozitën zyrtare. Sipas prokurorisë, të akuzuarit në bazë të marrëveshjes paraprake dhe me qëllim të përvetësimit të dobisë pasurore, kanë tërhequr nga Arka e BSPK-së, në emër të huazimit për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale shumën e parave prej 11.500,00 euro. Nga ana tjetër, një kontratë e tillë nuk ekziston në MPMS, me çka mjetet e tërhequra janë përvetësuar nga të akuzuarit, por të cilët e kanë mbyllur Arkën e BSPK-së në emër të kthimit të huazimit nga kjo ministri.