VAZHDON MARRJA NË PYETJE E ISH-TOGERIT TË FERIZAJIT MENDERES SINANIT

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë – Ish-togeri i Ferizajit Menderes Sinani, ka vazhduar mbrojtjen e tij ku në seancën e së hënës i akuzuari është marrë në pyetje nga prokurori i çështjes Drew Engel. I njëjti bëri të ditur se gjatë kësaj seance do të shpalos para Gjykatës dokumentet të cilat ndërlidhen me palën e dëmtuar e që në këtë rast është Bidajet Sylejmani.

Lidhur me këto dokumenet e paraqitura përpara Gjykatës ka thënë se i përkasin hetuesisë, ashtu siç ka thënë edhe në seancën paraprake. Në lidhje me një raport të policisë ai tha se hetuesit në teren gjatë zhvillimit të hetimeve, kontaktojnë me shumë njerëz ku mundohen që të nxjerrin informata të rëndësishme, dhe se ky raport është i përpiluar në komunën e Shtërpcës, prej nga edhe vjen Sylejmani. Hetimet ndaj tij kanë filluar në vitin 2013, dhe të gjitha raportet apo dokumentet përfundimtare janë kontrolluar nga Sinani.

Ndërkaq në këtë fazë të seancës, përfaqësuesi i Sinanit, avokati Aziz Rexha kundërshtoi këto dokumente me supozimin se të njëjtat i përkasin kallëzimit penal në çështjen penale kundër Sylejmanit, dhe se nuk kanë të bëjnë aspak me çështjen e klientit të tij. Tutje, Piotr Bojarchuk kryetar i trupit gjykues tha se prokurori nuk po e paraqet pjesën përbërëse të dokumenteve, mirëpo po ju referohet dokumenteve në përgjithësi prandaj i dha leje prokurorit që të vazhdojë me pyetjet e tij.

Sinani më pas deklaroi se asnjëherë nuk ka qenë pjesë e intervistimit të vajzave, për të cilat i dëmtuari Sylejmani dyshohej se kishte kryer trafikim. Ai tha se asnjëherë nuk ka pasur kontakt me to, mirëpo gjithmonë ka qenë i njfotuar paraprakisht nga hetuesit për veprimet të cilat duhet t’i ndërmarrë më pas. Ndërsa sa i përket transkriptave të përgjimit ai tha se asnjëherë nuk ka qenë i informuar rreth tyre, por ai personalisht i ka parë ato në momentin kur lënda është kompletuar.

Tutje, ish togeri shtoi se identifikimi i viktimave të trafikimit është një proces tejet i vështirë. Ai bëri të ditur se ka raste kur një viktimë e trafikimit ka punuar me një lokal ndoshta 10 vite me rradhë dhe nuk është zbuluar se ka qenë viktimë e trafikimit. Gjatë shqyrtimit gjyqësor Sinani tregoi se Bashkim Gashi ka qenë me graden e reshterit dhe zëvendësit të tij , ndërkaq për shkak të mungesës së informacioneve drejt kompletimit të lëndës ai ka caktuar Enver Ademin për udhëheqjen e hetimeve në komunën e Shtërpcës për aryseje se ai e njeh mirë rajonin. Sipas Sinanit, rasti i Sylejmanit ka ardhur nga Drejtoria dhe më pas kanë filluar hetimet, ku është bërë formulimi dhe krijimi i planit.

Në pyetjet e përgjithësuara të prokurorit Engel, Sinani ka vazhduar deklaratën e tij duke bërë të ditur se Xhemshir Beqiraj, Arben Sylejmani dhe anëtarë të tjerë nga familja Sylejmani kanë ardhur te Sinani edhe pse ai i ka njoftuar se rasti tashmë është në polici. Mirëpo ai tha se asnjëherë nuk ka raportuar kontaktet me të lartëcekurit në polici apo në prokurori. Ai gjithashtu tha se asnjëherë nuk ka pasur qasje në xhirollogarinë bankare, për shkak se ka qenë duke u hetuar nga Eulex-i. Ndërkaq për pronat të cilat janë në emër të tij Sinani vendosi të mos deklarohet.

Sinani gjithashtu foli edhe për Ramadan Ajvazin për të cilin tha se e njeh si punëtor të sigurimit në lokalin”International” dhe “Montana”, dhe se ai gjithmonë i ka vizituar ato bare sipas detyrës zyrtare. Ai tha se ka spjeguar edhe më heret se ka shumë deklarime apo raportime të rreme nga persona të ndryshëm. Tutje, para gjykatës ai bëri të ditur se kur ka shkuar në vendin e ngjarjes e që në këtë rast është lokali “International”, i njëjti ka qenë i mbyllur dhe aty ka takuar Ramadan Ajvazin në gjendje të dehur. Ajvazi nuk ka dhënë asnjë informatë pse ka qenë në atë gjendje dhe se me të vërtetë brenda asaj kohe aty ka pasur gjuajtje me armë. Sinani tha se e ka kuptuar gjendjen e vërtetë vetëm pasi Ajvazi e ka pranuar fajësinë lidhur me veprën penale për të cilen ngarkohej.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 27 dhjetor të vitit 2013 kishtë ngritur aktakuzës kundër Menderes Sinanit, Besim Shabanit, Burim Veselit, Sami Matoshit, Ramadan Ajvazit, Agron Matoshit dhe Vahid Tahirit, për veprat penale “shpërdorim i pozitës zyrtare”, “marrje e ryshfetit”, “ushtrim i ndikimit”, “shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore”, “dhënie e ndihmës kryesve, pas kryerjes së veprës penale”, ”moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre”, “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, “detyrim”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, dhe “përdorim i armës ose mjetit të rrezikshëm”. Për pesë të tjerët është marrë nga një vendim, dhe ka mbetur të përfundojë edhe për dy të lartëpërmendurit, Menderes Sinanit dhe Vahid Tahirit

Gjykimi vazhdon të martën me datë 26 prill, në ora 09:30

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë