Vazhdon marrja në pyetje e “Dëshmitarit 2’, në rastin ndaj ish-deputetit Azem Syla dhe 51 të tjerëve 

Raporton: Valdet HAJDINI

Prishtinë – Ka vazhduar marrja në pyetje e dëshmitarit të mbrojtur, të njohur si “Dëshmitari 2”, në seancën e hetuesisë së veçantë, në rastin kundër ish-deputetit të PDK-së Azem Syla dhe 51 të akuzuarve tjerë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Faredin Gashi, avokati Gëzim Kollçaku, për “Betimi për Drejtësi” bëri të ditur se dëshmitarin e ka përballur me disa prova materiale, në lidhje me deklarimet e dhëna në polici. “Në lidhje me provat materiale për të cilat e kam pyetur dëshmitarin, i njëjti disa prej tyre i ka pranuar, disa të tjera tha se gjoja nuk i kujtohen, ndërsa për një provë shumë të rëndësishme tha se nuk ishte i sigurt nëse ishte nënshkrimi i tij në atë dokument” tha avokati Kollçaku.

“Me pranimin e këtyre provave nga dëshmitari, ne kemi arritur ta argumentojmë pafajësinë e të mbrojturit tim, Faredin Gashi” deklaroi avokati Gëzim Kollçaku.

Seanca me marrjen në pyetje të “Dëshmitarit 2” do të vazhdoi nesër në ora 9.30, ku do të vazhdohet me marrjen në pyetje nga avokatët tjerë.

Ish-deputeti Azem Syla dhe të tjerët  dyshohet se e  kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën prej 30 milionë euro.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë