VAZHDON GJYKIMI PËR MASHTRIM NDAJ KOMPANISË SË SIGURIMIT

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të martën,  ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve Driton Krasniqi, Besim Muqaj dhe Burak Qilinger, të cilët akuzohen se në bashkëpunim, kanë tentuar të mashtrojnë kompaninë e sigurimit “Siguria”, duke inskenuar një aksident trafiku, për të përfituar para.

Në këtë seancë ka dëshmuar doktor Agim Hazrolli, i cili është ftuar nga trupi gjykues, me propozim të mbrojtjes, për plotësimin e procedurës së provave, që të sqarojë se në çfarë rrethana ishin njohur të akuzuarit. Ky dëshmitar ka sqaruar se djali i Driton Krasniqit është bërë operacion në vitin e kaluar dhe atij i ishte hequr shpretka. Më tej ka shtuar se pas operacionit, djali i tij ka pasur anemi dhe ka pasur nevojë për medikamente dhe për sigurimin e këtyre ilaçeve, Dritoni e ka kontaktuar atë, ndërsa dëshmitari e ka njohur Besim Muqajn më parë sepse një kohë kishin punuar bashke në ordinancën e tij dhe pasi që Besimi ka një barnatore, i ka takuar këta të dy, për të biseduar rreth sigurimit të medikamenteve për djalin e Dritonit, që sipas dëshmitarit, këto medikamente, nuk gjenden lehtë në Kosovë dhe ka thënë që për një operacion të tillë, ekziston dokumentacioni zyrtar, në spitalin e Prizrenit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Driton Krasniqi, avokati Arben Ramadani, ka njoftuar se e posedon të gjithë dokumentacionin për operimin e djalit të Driton Krasniqit dhe ka marrë përsipër që të furnizojë trupin gjykues me këto shkresa.

Kryetarja e trupi gjykues, Raime Elezi, ka ndërprerë seancën, me qëllim të marrjes së  provave, rreth operacionit të djalit, të të akuzuarit Driton Krasniqi dhe analizimit të tyre dhe seancën e radhës e ka caktuar për 26 prill 2016, në ora 13:00.

Ky shqyrtim gjyqësor zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila ngarkon të akuzuarin Driton Krasniqi se më 9 maj 2015, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare si polic në njësinë patrulluese, pas një marrëveshje paraprake me të akuzuarin Besim Muqaj, inskenon një aksident komunikacioni, për automjetin e aksidentuar më herët, me qëllim që i pandehuri Besim Muqaj, të përfitojë 15 mijë euro nga kompania e sigurimit “Siguria”. I akuzuari Besim Muqaj më 9 maj 2015, inskenon aksident komunikacioni, pastaj lajmëron policinë se gjoja ka pësuar aksident me automjetin Golf 4, të cilin e drejtonte i akuzuari Burak Qilingeri, me qëllim të përfitimit të kompensimit nga kompania e sigurimit. I akuzuari Burak Qilingeri më 9 maj 2015, pas një marrëveshje paraprake me të akuzuarin Besim Muqaj, pajtohet që me automjetin e tij të inskenohet aksidenti, duke dhënë deklaratë me shkrim në polici, se kinse aksidentin e kishte shkaktuar ai.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë