VAZHDON GJYKIMI PËR MARRJE RYSHFETI TË ZYRTARËVE QË MUNDËSUAN SHKATËRRIMIN E PYJEVE

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj Muhamet Hamitit dhe Afrim Magjunit, të akuzuar për marrje ryshfeti. Në këtë proces gjyqësor dëshmoi Tefik Ibrahimi.

Ish-Prokuroria Komunale në Prishtinë më 19 dhejtor 2012, kishte ngritur propozim aktakuzë ndaj nëntë të pandehurëve. Prokuroria pretendon se të pandehurit Avni Januzi dhe Ibish Ibrahimi gjatë periudhës së muajit janar të vitit 2011 e deri më 14 dhjetor 2011, në cilësinë e policëve në Stacionin Policor të Keqekollës në bashkëveprim me të pandehurin Tefik Ibrahimi, i cili ishte në cilësinë e rojtarit të pyellit, kanë shpërdorur pozitën e tyre zyrtare, në atë mënyrë që i kanë mundësuar Osman Mehmetit, Kadri Jasharit, Misin Beqirit dhe Kujtim Hasanit, prerjen dhe transportin e drunjëve në mënyrë të kundërligjshme, ku më pas atë masë drurore e kanë shitur në vende të ndryshme në Kosovë, ku më pas kanë pranuar paratë në emër të ryshfetit.

Tutje të pandehurit Muhamet Hamiti dhe Afrim Magjuni në cilësinë e policëve në njësinë e Policisë Kufitare në Luzhan, më 13 tetor 2011, kanë pranuar në emër të ryshfetit shumën e të hollave në lartësi prej 200 eurove si dhe shumën prej 70 eurove nga i pandehuri Osman Mehmeti, për t’ia mundësuar prerjen dhe transportin kundërligjor të sasisë së drunjëve.

Të pandehurit Osman Mehmeti, Kadri Jashari, Misin Beqiri dhe Kujtim Hasani, në cilësinë e personave zyrtar, gjatë muajit janar e deri më 14 dhejtor 2011, për të iu mundësuar prerjen dhe transportimin e sasisë së drunjëve, atyre u kanë dhënë shumë të parave në emër të ryshfetit për kryerjen e një veprimi të cilin nuk është dashur ta kryejnë.

Megjithatë për të pandehurit Avni Januzi, Ibish Ibrahimi, Tefik Ibrahimi, Osman Mehmeti, Kadri Jashari, Misim Beqiri dhe Kujtim Hasani, procedura penale ka përfunduar gjatë muajit janar të këtij viti, meqë është bërë parashkrimi absolut i veprës penale, ku nga Gjykata është marrë aktvendim për hudhjen e pejsërishme të aktakuzës, përderisa për dy të pandehurit Muhamet Hamitin dhe Afrim Magjunin vazhdohet procedura penale.

Procesi gjyqësor u vazhdua me marrjen në pyetje të dëshmitarit Tefik Ibrahimi. Ai deklaroi se akoma punon si rojtar pylli dhe se me të pandehurit e pranishëm në këtë shqyrtim gjyqësor ka raporte shumë të mira, për shkak se shumë shpesh është ballafaquar me probleme të transportimit të drunjëve si dhe vjedhjes së tyre ku më pas është orientuar tek ta.

Më pas prokurori i shtetit hoqi dorë nga dëshmitari meqenëse i njëjti nuk ka të bëjë me personat e akuzuar, prandaj konsideroi se deklarata e tij është e pa nevojshme. Po ashtu prokurori i shtetit hoqi dorë edhe nga dëshmitari Kadri Jashari, duke konsideruar se edhe ai nuk ka të bëjë me të akuzuarit. Andaj mbetet pranë propozimit që në seancën e ardhshme të dëgjohet dëshmitari Osman Mehmeti pasi që i njëjti nuk prezenton në këtë shqyrtim. Gjykata caktoi seancën e radhës më 29 mars 2016.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë