VAZHDON GJYKIMI PËR KORRUPSION, POLICI DEKLAROHET I PAFAJSHËM PËR MARRJE RYSHFETI

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë – Ka vazhduar gjykimi ndaj të pandehurit Veton Gashi i akuzuar për marrje ryshfeti. Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë ai u deklarua i pafajshëm.

Ish-Prokuroria Komunale në Prishtinë më 30 korik 2012 kishte ngritur propozim akuzë ndaj Hydajet Krasniqit dhe Veton Gashit. Të njejtit në cilësinë e pjestarëve të Policisë së Kosovës – Njësia e Trafikut Rajonal, më 18 qershor 2012 në magjistralën Prishtine – Pejë, në emër të ryshfetit kanë kërkuar shumën e të hollave prej 300.00 euro, përderisa kanë marrë ryshfet para në shumë prej 100 euro nga i dëmtuari Flamur Haziraj, me ç’rast këtij të fundit nuk i kanë shqiptuar tiketën ndëshkuese për shkak të kundërvajtjes së shkaktuar në komunikacion.

Kryetarja e trupit gjykues Syzana Çerkini, konstatoi se gjykimi do të filloj rishtas, pasi që trupi gjykues ka ndryshuar përbërjen dhe procedura penale ndaj të akuzuarit Hydajet Krasniqi është veçuar, meqenëse ky i fundit gjindet jashtë vendit dhe është i pa arritshëm për gjykatën.

Tutje, gjatë procesit gjyqësor, prokurori i rastit Feti Tunuzliu lexoi aktakuzën, përderisa i akuzuari Gashi u deklarua i pafajshëm për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Tunuzliu, në fjalën hyrëse tha se mbetet pranë deklaratës së dhënë gjatë seancës paraprake, ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Nuhi Uka deklaroi se gjatë administrimit të provave do të dëshmohet pa fajësia e të mbrojturit të tij.

Më pas gjyqtarja Çerkini, njoftoi të gjithë palët në procedurë, se gjatë administrimit të provave në seancat paraprake, janë dëgjyar tre dëshmitarë dhe të njëjtit janë marrë në pyetje.

Prokurori Tunuzliu propozon që të lexohen deklaratat e dëshmitarëve dhe më pas të vazhdohet me procedurën. Ndërkaq mbrojtjësi Uka i propozon Gjykatës që të dëgjohen sërish dëshmitarët, e veçanërisht Flamur Haziraj, pasi që i njëjti është dëshmitari kyç në këtë rast.

Gjykata duke u bazuar në të gjitha shkresat e lëndës aprovoi propozimin e mbrojtjes, dhe caktoi shqyrtimin e radhës me datë 13 qershor, në ora 09:30.

 

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë