VAZHDON GJYKIMI PËR KORRUPSION NDAJ ZYRTARËVE TË UJËSJELLËSIT RAJONAL NË MITROVICË

Raporton: Valdet HAJDINI

Vushtrri – Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, të enjten, është mbajtur seanca e shqyrtimit kryesor, kundër Abdylhalim Nesimi dhe Vehbi Braha, të akuzuar për veprën penale keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi. Në këtë seancë të kryesuar nga gjyqtari Avni Mehmeti, ka dëshmuar dëshmitari Vehbi Fejza, i cili është përgjigjur në shumë pyetje të prokurorit, përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar “Ujësjellësit Rajonal të Mitrovicës, të akuzuarve dhe anëtarëve të trupit gjykues.

Në pyetjen e prokurorit të rastit Ismet Ujkani, prej sa kohësh punon në Ujësjellësin Rajonal të Mitrovicës dhe në çfarë pozite, dëshmitari tha se që nga dhjetori 2002, është punësuar në Ujësjellesin Rajonal të Mitrovicës, ndërsa punon si Shef i Kontabilitetit. Në një pyetje tjetër të prokurorit, nëse në kohën kur ka filluar punën, ujësjellësi ka pasur ndonjë fond të fshehtë, si dhe a ka pasur llogari bankare, dëshmitari tha se nuk ishte në dijeni për ekzistimin e një fondi të fshehtë të kompanisë, ndërsa tha se ishte në dijeni që kompania ka pasur një llogari bankare, por nuk e dinte se si kanë qarkulluar paratë. Tutje, dëshmitari tha se ka prova që në periudhën 2000-2002 kompania kishte deklaruar kontributet personale dhe ka paguar tatimet në ATK.

Në pyetjet e përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar, Mentor Sejdiu, për faktin që pagesat e kontributeve pensionale janë paguar në vitin 2005, dëshmitari tha se ato ishin deklaruar me kohë, por që në mungesë të mjeteve financiare ishin paguar në vitin 2005. Tutje dëshmitari tha se për shkak të vonesës kompania nuk është dënuar nga ATK-ja, por vetëm ka paguar normën e interesit.

Në pyetjen e të pandehurit Vehbi Braha, nëse janë shlyer të gjitha obligimet ndaj ATK-së, dëshmitari tha se ATK ka bërë kontrolle të detajizuara të tatimit dhe kontributeve pensionale, për periudhën 2000-2010 dhe nuk ka gjetur asnjë shkelje apo keqpërdorim të parasë publike të kompanisë.

Në pyetjen e anëtarëve të trupit gjykues, nëse ka përpiluar ndonjë raport të pranim-dorëzimit, me rastin e pranimit të detyrës, dëshmitari tha se nuk ka asnjë raport të tillë, për faktin se në atë kohë ka qenë pozitë e paplotësuar më herët dhe është hapur për herë të parë.

Pas kësaj, prokurori i shtetit kërkoi nga trupi gjykues që t’i jap një afat kohor prej 14 ditësh, në mënyrë që ta konsultoi edhe një herë legjislacionin, meqenëse vepra e dyshuar korruptive ka ndodhur në periudhën 2000-2002, ndërsa në seancën e ardhshme do të shihen hapat që do të ndërmirren në lidhje me kualifikimin juridik të veprës penale.

Seanca e ardhshme për këtë rast gjyqësor u caktua për datë 8 prill 2016.

Aktakuza për këtë rast ishte ngritur nga ish-Prokuroria Publike e Qarkut në Mitrovicë, me pretendimin se të akuzuarit Abdylhalim Nesimi-Drejtor i Përgjithshëm dhe Vehbi Braha-Drejtor Financiar, gjatë periudhës prej fillimit të vitit 2000, deri në fund të vitit 2002, në bashkëveprim si persona përgjegjës i NPK “Ujësjelësi Regjional” në Mitrovicë, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore, kanë krijuar fonde të palejuara dhe nuk kanë paguar mjete nga detyrimet tatimore dhe atë në shumën prej 211.589,00 euro, jashtë xhirollogarisë së hapur të kësaj organizate.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë