VAZHDON GJYKIMI PËR KORRUPSION NDAJ GARDIANIT TË QENDRËS SË PARABURGIMIT NË PEJË

Raporton: Valdet HAJDINI

Pejë – Në Gjykatën Themelore në Pejë, të hënën, është mbajtur seanca e parë e shqyrtimit kryesor, kryesuar nga gjyqtari Sali Berisha, kundër të pandehurit Azem Bacaj, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Në këtë seancë kanë dhënë dëshminë e tyre dëshmitarët Arton Maloku, Albana Maloku, ndërsa kanë munguar dëshmitarët Alban Maloku, Arben Maloku dhe Sami Gashi.

Në fillim të seancës, prokurori i shtetit Agim Kurmehaj ka lexuar dispozitivin e aktakuzës dhe veprën penale me të cilën ngarkohet i akuzuari Azem bacaj, ndërsa i akuzuari tha se nuk e pranon fajësinë dhe u deklarua i pafajshëm.

Në fjalën hyrëse, prokurori Kurmehaj tha se pas ndëgjimit të dëshmitarëve dhe leximit të transkripteve nga bisedat telefonike, do të vërtetohet se i akuzuari ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet, duke kërkuar nga trupi gjykues që në bazë të ligjit të akuzuarin t’a shpallë fajtor.

Në anën tjetër, avokati mbrojtës Muharrem Hoti, në fjalën hyrëse tha se pas administrimit të provave dhe ndëgjimit të dëshmitarëve kyç në këtë rast, do të vërtetohet e kundërta e asaj që është shkruar në aktakuzë dhe i akuzuari do të shpallet i pafajshëm.

Në vazhdim të shqyrtimit gjyqësor, ftohet dëshmitari Arton Maloku për të dhënë dëshminë e vet. Në pyetjen e prokurorit të rastit Agim Kurmehaj, nëse ka marr ndonjë favor nga i akuzuari, gjatë kohës kur ishte në paraburgim, dëshmitari Maloku tha se vetëm një diele, kur vëllai i nënshtrohej një operacioni në Gjermani, i akuzuari e kishte lejuar të bëjë telefonatën. Në një pyetje tjetër të prokurorit, në lidhje me dy goma të veturës që i kishte dhënë familja e dëshmitarit të akuzuarit, dëshmitari tha se gjatë kohës sa ishte në paraburgim, një familjar i tij i kishte thënë se Azemi nuk kishte goma të dimrit për veturën e tij. “Duke qenë se unë kam marrëveshje me një firmë që të blejë goma me 30% zbritje, i kam thënë atij familjarit që të marrim goma me zbritje në emër të firmës tonë, e pastaj merruni vesh me Azemin për mënyrën e pagesës”, tha dëshmitari Maloku.

Tutje dëshmitari tha se i kujtohet që bashkëshortja i kishte thënë që i akuzuari i kishte kthyer parat për blerjen e gomave.

Në vazhdim të shqyrtimit gjyqësor, ftohet dëshmitarja Albana Maloku, e cila në pyetjen e prokurorit të rastit Agim Kurmehaj, nëse ishte në dijeni që i akuzuari i kishte sjellur parat e gomave, dëshmitarja tha se, këtu i akuzuari Azem Bacaj, i kishte sjellur në shtëpinë e tyre dhe asaj personalisht i’a kishte dhënë paratë në shumën prej 80-90 euro, si pagesë për blerjen e gomave.

Seanca e radhës për këtë rast, ku do të ndëgjohen dëshmitarë tjerë, u caktua për datë 7 prill 2016.

Sipas aktakuzës së prokurit Agim Kurmehaj, i akuzuari Azem Bacaj prej 29 dhjetorit 2014 deri më 20 janar 2015, në Qendrën e Paraburgimit në Pejë, i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit për vete të dobisë pasurore (dy goma për automjet në shumën prej 96 euro), ku të paraburgosurit Arton Maloku i dërgon mbushje telefonike dhe privilegje tjera.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë