VAZHDON GJYKIMI PËR KORRUPSION NDAJ DY POLICËVE, NDAJ SHTATË TË TJERËVE PARASHKRUHET LËNDA

Raporton: Erlina TAFA

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën, ka vazhduar shqyrtimi kryesor kundër dy policëve të akuzuar, Muhamet Hamiti dhe Afrim Magjuni.

Prokuroria pretendon se Hamiti dhe Magjuni, si policë kishin pranuar në emër të ryshfetit shumën e të hollave, njëri 200 euro dhe tjetri 70 euro nga i bashkë-pandehuri Osman Mehmeti për t’ia mundësuar prerjen dhe transportin e kundërligjshëm të drunjëve dhe pa e pasur fletëpërcjelljen për transportin e tyre.

Të dy policët u deklaruan të pafajshëm para trupit gjykues. “Nuk konsideroj se nga akuzat e Prokurorisë do të vërtetohet fajësia ime. Është e vërtetë se Osman Mehmetit i kam marr hua 75 euro, por jo në cilësi të personit zyrtar, para që ia kam kthyer brenda periudhës kohore 35-40 ditë”, tha i akuzuari Hamiti para trupit gjykues.

I akuzuari Magjuni tha se edhe ai i kishte marr hua 100 euro e jo 200 euro siç theksohet në propozimakuzë dhe se këto para ia kishte kthyer djalit të Osman Mehmetit. I akuzuari kërkoi që të ballafaqohet me të drejtpërdrejtë në mënyrë që të arrihet deri tek e vërteta.

Fillimisht akti akuzues ishte ngritur kundër nëntë personave të cilët ngarkoheshin me veprat penale “shpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit”, “marrja e ryshfetit” dhe “dhënia e ryshfetit”. Megjithatë për shtatë prej tyre procedura penale ka përfunduar gjatë muajit janar të këtij viti meqë kishte arritur afati i parashkrimit absolut të veprës penale. Prandaj, për shkak të vjetërsimit të lëndës gjykata kishte hudhur aktakuzën për këta shtatë persona.

Prokurori i çështjes Abdurrahim Islami ka kërkuar që në seancën e ardhshme të dëgjohen si dëshmitarë Osman Mehmeti, Kadri Jashari dhe Tefik Brahimi të cilët më parë figuronin si të akuzuar, por tani për ta procedura ka pushuar sepse lënda ishte parashkruar. Trupi Gjykues theksoj se vendimin lidhur me këtë propozim do ta sjellë pasi vendimi lidhur me këta persona ta merrte formën e prerë. Seanca e ardhshme u caktua për datën 22 mars 2016.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë