VAZHDON GJYKIMI PËR INSKENIM TË AKSIDENTIT TË KOMUNIKACIONIT PËR TË PËRFITUAR PARA

Raporton: Valdet HAJDINI

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të enjten ka vazhduar seanca gjyqësore, kundër të akuzuarit Driton Krasniqi, i akuzuar për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe të akuzuarve Besim Muqaj dhe Burak Qilingeri të akuzuar për veprën penale deklarime të rreme. Kjo seancë është mbajtur në zyren e kryetares së trupit gjykues Raima Elezi. Në këtë seancë ka vazhduar mbrojtjen e vet i akuzuari Burak Qilingeri, i cili u përgjigj në pyetjet të mbrojtësit të akuzuarit tjetër Driton Krasniqi dhe kryetares së trupit gjykues.

I akuzuari Burak Qilingeri tha se para se ndodhtë ngjarja për të cilën akuzohen, nuk ishte njohur më parë të akuzuarin Driton Krasniqi. Në pyetjen e avokatit Ramadani nëse më 9 maj 2015 automjeti i tij Golf 4 ishte i dëmtuar, i akuzuari Qilingeri tha se atë ditë vetura e tij ishte e dëmtuar, pasi e kishte dëmtuar i akuzuari Besim Muqaj dhe vëllau i tij Arben Muqaj. I akuzuari Qilingeri tha se atë ditë në vendin e ngjarjes ka pasur edhe persona tjerë dhe se aty kishte folur për herë të parë më policin Krasniqi.

Qilingeri tha se katër orë para se të lajmërohej rasti në polici, vëllai i Besimit i kishte telefonuar dhe i ka kërkuar t’ia jepte veturën. “Pasi që ai kishte pësuar aksident, më kërkoi veturën time, me qëllim që të inskenonte një aksident, ku gjoja unë e kam goditur me veturën time”. Tutje, i akuzuari tha se nuk kishte asnjë marrëveshje paraprake, por vetëm kishte kërkuar t’i rregullohej vetura siç ka qenë. Në pyetjen e gjyqtares Elezi, për arsyen pse i kishte dhënë veturën vëllait të Besimit, i akuzuari Qilingeri tha se ai i kishte ndihmuar gjatë kohës sa kishte qenë në Austri, ndërsa qëllimi i tij ka qenë rregullimi i veturës së tyre.

Kjo seancë gjyqësore do të vazhdoj më 5 prill 2016, ku do palët do të japin fjalët përfundimtare.

Ky shqyrtim gjyqësor zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila ngarkon të akuzuarin Driton Krasniqi se më 9 maj 2015 duke shfrytëzuar detyrën zyrtare-polic në njësinë patrulluese, pas një marrëveshje paraprake me të akuzuarin Besim Muqaj, inskenon një aksident komunikacionik për automjetin e aksidentuar më herët, me qëllim që i pandehuri Besim Muqaj të përfitojë 15.000,00 euro nga kompania e sigurimit “Siguria”. I akuzuari Besim Muqaj më 9 maj 2015 inskenon aksident komunikacioni, pastaj lajmëron policinë se gjoja ka pësuar aksident me automjetin Golf 4 të cilin e drejtonte i akuzuari Burak Qilingeri, me qëllim të përfitimit të kompenzimit nga kompania e sigurimit. I akuzuari Burak Qilingeri më 9 maj 2015, pas një marrëveshje paraprake me të akuzuarin Besim Muqaj, pajtohet që me automjetin e tij të inskenohet aksident trafiku, duke dhënë deklaratë me shkrim në polici se kinse aksidentin e kishte shkaktuar ai.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë