VAZHDON GJYKIMI PËR DALLAVERET ME UDHËTIMET E MATURANTËVE NË SHQIPËRI

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren- Naim Vllaqo dhe Jakup Hoti, anëtarë të këshillit drejtues të shkollës së mesme “Gjon Buzuku” në Prizren, të enjten kanë dhënë dëshmitë e tyre për rastin e njohur ndaj të akuzuarve për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Shaip Buduri, Bujar Nerjovaj dhe Beqir Letaj.

Dëshmitari i parë i cili u dëgjua në këtë seancë, Naim Vllaqo, tha se i akuzuari Shaip Buduri ka qenë në mbledhjen e zgjedhjes së ofertës për ekskursion të maturantëve në cilësi të sekretarit, dhe i njejti nuk ka pasur të drejtë të votojë por vetëm ta mbajë procesverbalin. Sipas dëshmitarit Vllaqo, Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) zakonisht i shpall tenderët për ekskursion, por në vitin 2013 këtë kompetencë ia ka transferuar shkollës. Ai ka shtuar se operatori fitues në këtë rast ka pasur ofertën më të mirë se operatorët tjerë, duke ofruar udhëtim falas për më shumë nxënës me kushte të vështira financiare, deri në 60 vende. Madje i njejti operator i ka pasur në rregull autobusët dhe kanë pasur rezervimin e hotelit, gjë që, sipas tij, të tjerët nuk e kanë pasur.

Ndërkaq dëshmitari i dytë Jakup Hoti, tha se ditën kur i kanë hapur ofertat i kanë ftuar të gjithë konkurruesit, dhe në prezencën e tyre e kanë shikuar dokumentacionin duke e kaluar nëpër duar të njëri tjetrit. Sipas tij, në këtë mënyrë kanë parë që vetëm kompania “Atmaxha” e ka pasur të gjithë dokumentacionin në rregull, përfshirë edhe rezervimin e hotelit. Kjo ka ndodhur edhe përkundër faktit që të gjitha kompanitë kanë deklaruar se kanë autobusë të mjaftueshëm për maturantët dhe se kanë rezervim në hotelin në Shëngjin, gjë që për vërtetimin e tyre janë caktuar dy komisione. Njëri komision kishte pasur për detyrë që të inspektojë autobusët ndërsa tjetri të vërtetojë rezervimet në hotelin në Shëngjin. Nga inspektimet, sipas tij, kompania “Atmaxha” ka dal më e mira dhe e kanë pasur çmimin më të volitshëm, duke ofruar udhëtim falas për nga 3 nxënsa në çdo autobus, për kujdestarët dhe dy udhëtime jashtë sezonale për kolektivin e shkollës.

Kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, për shkak të përfundimit të orarit të punës, ka ndërprerë shqyrtimin dhe vazhdimin e të njëjtit e ka caktuar për datën 30.05.2016, në ora 09:00.

Më 31 gusht 2015, Prokuroria Themelore në Prizren, kishte ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Shaip Buduri, Bujar Nerjovaj dhe Beqir Letaj, me akuzën se me qëllim të shkaktimit të dëmit, personit tjetër, kanë eliminuar në mënyrë të padrejtë operatorët “Sharr Travel” dhe “Halimaj Raisen” nga tenderi për ekskursionin e maturantëve në Shqipëri, të vitit 2013. Sipas aktakuzës, të njëjtit me këto veprime kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë