VAZHDON GJYKIMI PËR DALLAVERET ME PUNËSIMIN E MËSIMDHËNËSVE NË MALISHEVË

Raporton: Lutfi MORINA

Gjakovë – Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, të enjten, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj Halim Hotit, Hanë Bytyqit dhe Nazmi Zogajt, të cilët akuzohen se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, me rastin e përzgjedhjes së kandidatëve për mësimdhënës në shkollën e mesme profesionale “Qendra e Kompetencës” në Malishevë.

Në këtë seancë ka dëshmuar Zef Osmani, shefi i Sektorit të Inspektoratit të Arsimit (SIA), në Komunën e Malishevës, i cili ndër të tjera ka thënë se ka inspektuar konkursin e datës 17 korrik 2014 për mësimdhënës në shkollën profesionale “Qendra e Kompetencës” në Malishevë dhe gjatë inspektimit ka vërejtur se ka shkelje procedurale në hartimin e procesverbaleve në të cilët nuk ka datë të mbajtjes së intervistës, në një procesverbal tjetër, sipas tij, nuk ka figuruar përbërja e komisionit prej tre anëtarësh, por vetëm emrat e dy anëtarëve. Osmani tha se bazuar në këto shkelje, kishte rekomanduar anulimin e  konkursit dhe ri-shpalljen  e tij, pasi që një rekomandim të tillë nuk  e kishte përfill DKA-ja në Malishevë, SIA kishte marrë vendim që të anulohet konkursi dhe të rishpallet e pasi as këtë vendim nuk e ka zbatuar DKA-ja, inspektorati lëndën e ka proceduar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjegjësisht në Departamentin Administrativ. Poashtu ka theksuar se komisioni përzgjedhës janë vetëm punëtorë dhe punëdhënësi i vërtetë është DKA-ja në Malishevë.

Në këtë seancë ka dëshmuar edhe Besim Dobruna, ish-drejtor i shkollës së mesme profesionale “Qendra e Kompetencës” në Malishevë, i cili në mes tjerash ka deklaruar se mandat të drejtorit ka pasur deri më 31 gusht 2014, por me lejen e DKA-së në Malishevë kishte udhëtuar jashtë shtetit për nevoja të tij, për ngritjes profesionale, andaj për konkursin në fjalë, vetëm ka qenë i njoftuar nga zëvendës drejtori Nazmi Zogaj, që i ka kryer detyrat, në mungesë të tij. Më tej ka shtuar se pasi që i kalonte mandati si drejtor, poashtu edhe ai vetë ka qenë kandidat për profesor në këtë konkurs dhe është pranuar në punë.

Në këtë seancë, poashtu janë lexuar provat materiale nga shkresat e lëndës dhe është bërë administrimi i provave të reja, të prezantuara nga të dëmtuarit.

Me kërkesën e prokurorit dhe pajtimin e palëve tjera në procedurës, kryetari i trupit gjykues, Nikoll Komani ka ndërprerë shqyrtimin dhe të njëjtin e ka caktuar për datën 24 mars 2016, në ora 09:00, ku pritet të merren në pyetje të akuzuarit dhe të jepen fjalët përfundimtare nga palët në procedurë.

Në verën e viti 2015, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë ndaj Halim Hotit, Hana Bytyqit dhe Nazim Zogajt, të cilët i akuzon se duke qenë në komisionin intervistues më rastin e përzgjedhjes së mësimdhënësve për shkollën profesionale “Qendra e Kompetencës”, me qëllim të përfitimit të tjetrit dhe dëmtimit të tjetrit kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare duke mos i zgjedhur kandidatët me kualifikime por ata pa kualifikime adekuate, me ç’rast kanë humbur vendin e punës mësimdhënës me përvojë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë