VAZHDON GJYKIMI PËR DALLAVERET ME PATENT SHOFERË NË PRIZREN

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të martën,  ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj Agim Bytyqit, instruktor autoshkolle, i cili akuzohet nga prokuroria se ka shpërdoruar  pozitën zyrtare, duke përfituar të mira materiale, në mënyrë të paligjshme, për vete dhe personat tjerë, duke u ndihmuar kandidatëve për të marrë patentëshoferin në mënyrë të parregullt.

Prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, ka hequr dorë nga dëgjimi i dy dëshmitarëve nga Shqipëria, Gazmend Sahiti dhe Ardit Qani, për shkak të pamundësisë së sigurimit të tyre.

Në këtë seancë janë lexuar provat materiale nga shkresat e lëndës dhe ka bërë mbrojtjen e tij, i akuzuari, Agim Bytyqi, i cili ndër të tjera ka thënë se mbetet pranë deklaratave të dhëna më parë, rreth kësaj çështje, duke shtuar se ai ka qenë instruktor në autoshkollën “Golf” që ishte e regjistruar në emër të bashkëshortes së tij dhe se detyra e tij ka qenë, aftësimi i kandidatëve për pjesën praktike të testit për patentshoferë, për rastin konkret ka thënë se çmimi normal ka qenë 300 euro, por njëqind euro më shumë ja ka marrë kandidatit sepse ia ka mundësuar që të hyjë më shpejtë në provim, duke e regjistruar me një datë më të hershme, në librin amzë.

Prokurorja ka kërkuar që shqyrtimi i sotëm të shtyhet me qëllim që të përgatitet për fjalën përfundimtare, pasi që ka shumë shkresa të lëndës dhe ka nevojë të analizohen.

Trupi Gjykues, ka pranuar kërkesën e prokurores, ka ndërprerë shqyrtimin dhe vazhdimin e të njëjtit e ka caktuar për 15 prill 2016, në ora 15:00.

Në vitin 2007, Prokuroria Komunale e asaj kohe, pas transmetimit të ngjarjes së dallavereve me patentshofer në emisionin investigativ ‘Fiks Fare’ të  televizionit TOP Channel, kishte ngritur aktakuzë ndaj Agim Bytyqit, për marrje të ryshfetit nga neni 343 dhe shpërdorim të pozitës zyrtare nga neni 339. Rasti është gjykuar dy herë më parë, një herë me gjykim lirues dhe një herë me gjykim dënues, por Gjykata e Apelit në të dyja rastet e ka kthyer lëndën në rivendosje.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë