VAZHDON GJYKIMI PËR DALLAVERET ME EKSKURSIONET E MATURANTËVE NË SHQIPËRI

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të martën, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit Shaip Buduri, Bujar Nerjovaj dhe Beqir Letaj, të cilët akuzohen nga prokuroria se në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, duke i shkaktuar dëm personit tjetër, me eliminim të padrejtë nga tenderi për ekskursion të nxënësve për në Shqipëri.

Në këtë seancë, ka dëshmuar përfaqësuesi i kompanisë “Atmaxha”, Florim Gashi, i cili, ndër të tjera ka thënë se tenderin e ekskursionit si në tenderim poashtu edhe në ri-tenderim e kanë fituar sepse kanë pasur ofertë më të volitshme se operatorët tjerë, duke përfshirë më shumë nxënës gratis, ushqim e pije shtesë dhe një shujtë gjatë udhëtimit. Më tej ka shtuar se paratë janë dorëzuar kesh dhe  të gjitha pagesat janë bërë me para në dorë.

Prokurorja e çështjes, Ervehe Gashi e ka ballafaquar dëshmitarin me deklaratën e tij në polici, në të cilën kishte deklaruar se kompania “Atmaxha” përveç nxënësve kishte dërguar edhe këshillin e shkollës në ekskursion, ndërsa dëshmitari ka sqaruar se ka të bëjë me disa vizita të bëra nëpër Kosovë dhe Shqipëri, për stafin dhe nxënësit e shkollës e jo për këshillin e shkollës, për të cilat vizita kanë marrë shuma simbolike.

Mbrojtja dhe të akuzuarit kanë propozuar që të dëgjohen si dëshmitarë edhe anëtarët e tjerë të këshillit të shkollës që kanë vendos rreth ofertave për këtë ekskursion, ku përfshihen dy prindër dhe disa mësimdhënës.

Trupi gjykues ka pranuar kërkesën e tyre dhe ka vendosur që në seancat e radhës të datës 19.04.2016 dhe 25.04.2016, si dëshmitarë të dëgjohen Hamz Krasniqi, Esat Kureshepi, Jakup Hoti dhe Naim Vllaqo.

Më 31 gusht 2015, Prokuroria Themelore në Prizren, kishte ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Shaip Buduri, Bujar Nerjovaj dhe Beqir Letaj, me akuzën se me qëllim të shkaktimit të dëmit, personit tjetër, kanë eliminuar, në mënyrë të padrejtë, operatorët Sharr Travel dhe Halimaj Raisen nga tenderi për ekskursionin e maturantëve në Shqipëri, të vitit 2013, me të cilat veprime, kanë kryer veprën penale, në bashkëkryerje, të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë