VAZHDON GJYKIMI NË RASTIN “KEK 2” KUNDËR SAMI LUSHTAKUT DHE ARBEN GJUKAJT

Raporton: Valdet HAJDINI

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të enjten, para gjykatësve të EULEX-it, është mbajtur seanca gjyqësore, ndaj të akuzuarve për korrupsion Sami Lushtaku, Arben Gjukaj dhe të tjerët. Seanca ka vazhduar me fjalën hyrëse të palëve nga mbrojtësi i të akuzuarit Arben Gjukaj, avokati Ramë Gashi, i akuzuari Azem Duraku dhe mbrojtësi i Sami Lushtaku, avokati Arianit Koci.

Mbrojtësi i Arben Gjukaj, avokati Ramë Gashi tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të shihet se kontrata e punës së Arben Gjukaj, i njeh të drejtën e delegimit të përgjegjësive te bashkëpunëtorët. Tutje Gashi tha se KEK-u nuk ka zëvendësdrejtor dhe me Statut, Rregullore të Brendshme, Kodi i Qeverisjes së KEK-ut, por edhe ligjet e aplikueshme e parashohin të drejtën e delegimit të përgjegjësive tek personat e menaxhmentit. “Edhe takimi i Gjukajt me Lushtakun nuk përbën shkelje apo veprim të ndaluar, për faktin se në atë kohë kontrata ishte nënshkruar dhe kishin përfunduar të gjitha procedurat e prokurimit”, tha avokati Gashi. Më tej ai potencoi edhe faktin se udhëtimi zyrtar i Gjukajt në atë kohë ishte planifikuar tre javë më herët, ndërsa tha se me veprimet e tija, i akuzuari Gjukaj nuk e ka shkelur ligjin, nuk është dëmtuar KEK-u dhe askush nuk ka përfituar materialisht në mënyrë të kundërligjshme.

I akuzuari Azem Duraku i dorëzoi gjykatës në formë të shkruar fjalën hyrëse, për faktin se avokati i tij nuk kishte ardhur në seancë. Një elaborim të shkurtër e bëri vet Duraku, i cili tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se në mënyrë absolute nuk qëndron vepra penale e përshkruar në aktakuzë. “Në raportin tim prej 16 faqesh askund nuk kam shkruar se tenderin duhet ta fitoi konsorciumi WDG dhe Security Code, por kam shkruar se organi duhet të veproi në pajtim me dispozitat ligjore”, tha Duraku.

Ndërkaq, mbrojtësi i Sami Lushtaku, avokati Arianit Koci në fjalën e vet kërkoi nga prokurori dhe gjykata që të kenë kujdes gjatë trajtimit të kësja lënde dhe të mos kërkohen viktima në këtë rast. Tutje avokati Koci tha se e gjitha aktakuza kundër Lushtakut është e ndërtuar mbi bazën e supozimeve, të pabazuara, të paargumentuara dhe të cilat nuk kanë kredibilitet. Ai theksoi faktin se dëshmitar në këtë rast është i njëjti person që ka dëshmuar edhe në procese tjera gjyqësore kundër Lushtakut dhe i cili para trupit gjykues ka thënë se do të shihemi në tjera gjykime. “I vetmi faj i Lushtakut është se e ka të afërm njërin nga pronarët e kompanisë fituese të tenderit, ndërsa kjo nuk paraqet vepër penale”, tha avokati Koci. Sipas tij, edhe takimi me Drejtorin e KEK-ut, ka ndodhur për të shikuar mundësitë e gjetjes së zgjidhjes për problemin e energjisë elektrike në Komunën e Skenderajt, kjo është punë që e bënë një kryetar komune”, tha Koci. Tutje avokati Koci tha se provat e ofruara nga prokuroria nuk e vërtetojnë kryerjen e vepërs penale dhe gjatë seancave do të vërtetohet se Lushtaku nuk i ka kryer veprimet për të cilat ngarkohet. Seanca e ardhshme për këtë rast gjyqësor u caktuar për datë 10 mars 2016.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, në këtë rast janë 7 persona të akuzuar në lidhje me tenderin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ku përfshihen Kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku dhe Drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj. Ndryshe, këta shtatë persona akuzohen për tenderin milionësh për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut. Sami Lushtaku akuzohet për veprën penale shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit, Arben Gjukaj e Hysni Hoxha për veprën penale keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku për veprat penale të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve në bashkëkryerje, Driton Pruthi për veprat penale keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit dhe lidhja e kontratës së dëmshme dhe Azem Duraku për veprën penale shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë