VAZHDON GJYKIMI NË RASTIN E MANIFESTIMIT “REMZI ADEMAJ” NË PRIZREN

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj Nexhat Çoçaj, Bekim Thaqi dhe Bedri Çeku, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, në lidhje me manifestimin “Remzi Ademaj” brenda periudhës 2008-2012.

Në seancën e së hënës, janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë, të propozuar nga mbrojtja e të akuzuarëve. Dëshmitari Zenel Ahmetaj, me pozitë si zyrtar kryesor financiar në Kuvendin Komunal të Prizrenit, në dëshminë e tij, ndër të tjera, ka deklaruar se manifestimi “Remzi Ademaj” është subvencionuar nga Komuna e Prizrenit dhe nuk ka pasur nevojë për tenderim, sepse sipas tij, mjetet alokohen në xhirollogarinë e personit apo organizatës që e bënë kërkesën.

Ndërsa dëshmitari Visar Islamaj me detyrë zyrtare si auditor i administratës në Komunën e Prizrenit ka deklaruar se Udhëzimi Administrativ 2005/8 i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, ka paraparë se subvencionet janë mjete të pakthyeshme dhe mjetet lëshohen pa procedurë të tenderimit, mirëpo subvencioni duhet të mbyllet me një raport të shpenzimeve. Tutje, ai ka theksuar se mjetet lëshohen në xhirollogari të personit fizik apo juridik, përkatësisht organizatorit.

Dëshmitari Dashmir Susuri ka deklaruar se si anëtarë i Këshillit Organizativ ka marrë pjesë në të gjithë organizimin dhe pagesat rreth manifestimit së bashku me të akuzuarin Nexhat Çoçaj, dhe se kanë blerë libra nga firma Bogdani. Në pyetjen e prokurorit Mehdi Sefa se a e din ai se kush është pronar i firmës “Bogdani”,  dëshmitari është përgjigjur se nuk e din.

Dëshmitari Mehmet Shala ka thënë se ka qenë pjesë e Këshillit të gjerë në manifestimin “Remzi Ademaj”, që kanë shpërblyer nxënësit pjesëmarrës me shuma prej 500 euro për vend të parë, 350 për vend të dytë dhe 250  për vend të tretë, për të gjitha disiplinat e garimit në manifestim, të hollat janë alokuar në emër të kryetarëve të Këshillit Organizativ, përkatësisht tre të akuzuarve sipas viteve që kanë qenë të zgjedhur.

Dëshmitari Alidin Flugaj, ka thënë rreth rastit se ka qenë në Këshillin Organizativ si i deleguar nga shkolla “Abdyl Frashëri”, dhe se mjetet për blerjen e dhuratave dhe shpërblimeve për fituesit, janë marrë nga të akuzuarit sipas viteve që kanë qenë në krye të Këshillit Organizativ të manifestimit. Dëshmitari më tej ka theksuar se për blerjen e librave dhe fletoreve kryesisht janë furnizuar nga panairet e librave por pasi që nuk ka qenë e mundur që të pajisen me fatura nga panairet, e kanë shfrytëzuar firmën “Bogdani” për lëshimin e faturave në mënyrë që t’i ikin TVSH-së.

Dëshmitari Isa Osmankaj, si Shef i Prokurimit në Komunën e Prizrenit, ka deklaruar se Ligji i Prokurimit i vitit 2007 i cili ende është në fuqi, nuk e përcakton se subvencionet duhet t’i nënshtrohen tenderimit dhe se manifestimi “Remzi Ademaj” është bërë përmes subvencioneve.

Mbrojtësi i të akuzuarit, Nexhat Çoçaj, avokati Bashkim Nevzati, ka kërkuar nga kryetarja  e trupit gjykues, Ajser Skenderi, që të ftohet sërish për të dëshmuar eksperti financiar Agim Kastrati, për shkak të disa faturave të siguruara nga mbrojtja për të cilat eksperti nuk kishte pasur mundësi t’i administronte gjatë përpilimit të ekspertizës dhe të njëjtat dokumente ia ka dorëzuar trupi gjykues.

Me këtë rast kryetarja e trupi gjykues, ka vendosur që shkresat t’i jepen ekspertit, që të bëjë plotësimin e ekspertizës dhe për të njëjtat të deklarohet në seancën e caktuar për 31 mars 2016.

Në dhjetor të vitit 2014, Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë me të cilën i akuzon të akuzuarit se në bashkëpunim kanë keqpërdorur pozitën zyrtare me qëllim të përfitimit për vete apo tjetrin, në atë mënyrë që duke qenë përgjegjës për manifestimin “Remzi Ademaj”, secili në vitin përkatës brenda periudhës 2008-2012, kanë përdorur mjetet e derdhura në xhirollogarinë personale të secilit, për të blerë gjëra, me të cilat veprime i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Ndërsa Nexhat Çoçaj, poashtu akuzohet se duke qenë kryetar i Këshillit Organizativ ka bërë furnizime nga firma “Bogdani’ pronar i së cilës është vet ai, dhe ka tërhequr para nga xhirollogaria pa u ditur destinacioni dhe duke e tejkaluar buxhetin e lejuar në shumën prej mbi 4000 eurove, pa vendim përkatës të komunës.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë