VAZHDON GJYKIMI NË RASTIN E MANIFESTIMIT “REMZI ADEMAJ” NË PRIZREN

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të enjten, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve Nexhat Çoçaj, Bekim Thaqi dhe Bedri Çeku, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, brenda periudhës 2008-2012, për vitet përkatëse, kur ata kanë qenë përgjegjës në Këshillin Organizativ të manifestimit “Remzi Ademaj”.

Në këtë seancë, është ri-marrë në pyetje eksperti Agim Kastrati, si përpilues i ekspertizës financiare në këtë rast, i cili ndër të tjera ka thënë se tejkalimet e lejuara në shpenzime për manifestimin janë të pabaza sepse këto lejime janë bërë nga një nën-vartës i Kryetarit të Komunës dhe sipas tij ai nuk ka pasur kompetencë të lëshojë, mjete më shumë se që ka paraparë Kryetari, me konkluzion.

Më tej ka sqaruar se mjetet të cilat janë lëshuar nga pozicioni i subvencioneve, nuk kanë pasur obligim që të tenderohen, por sipas tij vetëm në konkluzionin e vitit 2011 shkruan se mjetet prej 12 mijë eurosh, janë lëshuar nga pozicioni i subvencioneve dhe 50% të mjeteve prej 10 mijë eurosh për vitin 2012 janë ndarë poashtu nga pozicioni i subvencioneve, ndërsa gjysma tjetër është ndarë nga pozicioni i mallrave dhe shërbimeve, që sipas tij, kjo pjesë e mjeteve të lejuara, është dashur të kalojë nëpër procedurat e prokurimit, ndërsa për vitet 2008, 2009 dhe 2010, ka thënë se nuk shkruan në konkluzione nëse mjetet janë lëshuar nga pozicioni i subvencioneve.

Mbrojtësit dhe të akuzuarit kanë kërkuar kohë që të përgatitin mbrojtjen e tyre, andaj me këtë rast, Kryetarja e trupit gjykues, Ajsere Skenderi, ka ndërprerë shqyrtimin dhe vazhdimin e të njëjtit e ka caktuar për 6 maj 2016, në ora 09:00.

Në dhjetor të vitit 2014, Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë me të cilën i akuzon të pandehurit se në bashkëpunim kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit për vete apo tjetrin, në atë mënyrë që duke qenë përgjegjës për manifestimin “Remzi Ademaj”, secili në vitin përkatës brenda periudhës 2008-2012, kanë përdorur mjetet e derdhura në xhirollogarinë personale të secilit, për të blerë gjera, me të cilat veprime i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Ndërsa Nexhat Çoçaj, poashtu akuzohet se duke qenë kryetar i këshillit organizativ ka bërë furnizime nga firma “Bogdani’ pronar i së cilës është vet ai, dhe ka tërhequr para nga xhirollogaria pa u ditur destinacioni dhe duke e tejkaluar buxhetin e lejuar në shumën prej mbi 4000 eurove, pa vendim përkatës të komunës.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë