VAZHDON GJYKIMI NDAJ TË AKUZUARVE QË LEJUAN OPERIMIN E POMPAVE TË DERIVATEVE NË MËNYRË TË KUNDËRLIGJSHME

Raporton: Adem KRASNIQI

Prishtinë – Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, u mbajt shqyrtimi gjyqësor kundër Muhamet Prapashticës, Besnik Sadikut, Faton Canolli, Ahmet Frangut dhe Nafije Osmanit, të akuzuar për veprën penale shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Në këtë seancë dhanë dëshmitë e tyre Rrahman Avdullau dhe Zaim Berisha. Dëshmitari Avdullahu i cili u morr në pyetje edhe në cilësinë e të dëmtuarit, tha se në ditën kur kishte ndodhur shpërthimi në pikën e shitjes së derivateve “M-Gas Petroll”, ai e kishte parkuar veturën e tij në parkingun e pikës se derivateve, vend ky i cili kishte bërë edhe shitjen e gazit në mënyrë kundërligjore. Gjatë furnizimit me gaz nga një autocisternë, po në atë ditë kishte ardhur deri te ndezja e gazit dhe si pasojë atij i ishte djegur vetura. “Njëzet minuta pasi që e kam parkuar veturën në këtë parking që ka qenë me pagesë, kam dëgjuar një shpërthim të madh dhe e tëra që kemi parë ishte vetëm flakë dhe tym. Pasi që zjarrfikësit e kanë neutralizuar paksa zjarrin, unë e kam parë veturën time të digjej dhe këtu nuk kanë mundur të bëjnë asgjë as zjarrfikësit. Kërkoj kompensimin e këtij dëmi, i cili sipas kalkulimit të kompanisë së sigurimit është 4600 euro”, tha dëshmitari Avdullahu.

Zaim Berisha në dëshminë e tij, tha se në kohën kur kishte ndodhë shpërthimi, kishte qenë Drejtor në Zyrën për Mbrojtje Civile dhe Emergjente. Dëshmitari Berisha tha se në kohën kur ai ka qenë drejtor, firmës “M-Gas Petroll”, i ishin dhënë instruksione se çfarë kushte duhet të plotësohen për ushtrimin e kësaj veprimtarie, por e njëjta firmë edhe atëherë ka qenë duke e ushtruar këtë biznes. “Gjatë kësaj kohe i kam propozuar kryetarit të Komunës që të gjitha këto pika të shitjes së këtyre derivateve të rrezikshme, duhet të mbyllen sepse paraqesin rrezik për qytetarët”, tha dëshmitari Berisha.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Muhamet Prapashtica në cilësinë e pronarit të firmës “M-Gas petrol” gjatë vitit 2007 ka vepruar kundër ligjit, në atë mënyrë që pa leje ndërtimi ka ndërtuar pompën e derivateve “M-Gas petrol” në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë.  Në këtë rast ndërmarrja ka rrezikuar jetën e njerëzve dhe pasuri të vlerave të mëdha, ashtu që më 15 mars 2008, gjatë furnizimit me gaz nga një autocisternë e firmës “P-Gas” nga Peja, është shkaktuar rrezik i madh për jetën ashtu që ka ardhur deri te ndezja e gazit ku nga lëndimet e shkaktuara kanë vdekur Bekim Muharremi dhe Ismajl Sadiku.

Tutje aktakuza ngarkon Besnik Sadikun, i cili në cilësinë e pronarit të ndërmarrjes “P-Gas” ka marrë me qira objektin e deponisë së gazit në Fushë Kosovë . I njëjti ka vepruar në kundërshtim me procedurat ligjore si dhe standardet e përgjithshme profesionale kundër kushteve të lejes për ndërtim. Në këtë mënyrë është rrezikuar jeta e njerëzve dhe pasurisë, ashtu që punëtorët nuk kanë qenë të pajisur me ADR, si dhe firma nuk ka qenë e licencuar për transportimin e lëndëve të rrezikshme ku i njëjti nuk ka aplikuar asnjë dokument të nevojshëm për zhvillimin e veprimtarisë.

I pandehuri Faton Canolli në cilësinë e vozitësit në firmën “P-Gas” në pikën e shitjes së derivateve të naftës, i pa trajnuar për transportim dhe bartjen e lëndëve të rrezikshme si dhe pa kontratë pune, gjatë procesit të furnizimit ka ardhur deri te eksplodimi i gazit.

Ndërkaq, Ahmet Frangu dhe Nafije Osmani, akuzohen se në cilësinë e inspektorëve të tregut, duke e shpërdorur detyrën zyrtare i kanë mundësuar ndërmarrjes të përfitojë dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme duke lejuar që të punohet pa leje valide.

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë