VAZHDON GJYKIMI NDAJ TË AKUZUARVE NEXHAT ÇOÇAJ, BEKIM THAQI DHE BEDRI ÇEKU

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve Nexhat Çoçaj, Bekim Thaqi dhe Bedri Çeku, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar në periudhën kohore prej 2008-2012.

Në seancën e së martës, janë lexuar provat materiale të këtij rasti, duke filluar nga ekspertiza financiare e ekspertit Agim Kastrati, dosjet me vendimet dhe faturat e shpenzimeve për manifestimin “Remzi Ademaj” për vitet 2008-2012, raportet e xhirollogarive të të akuzuarve, raportet e punës së Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prizren.

Mbrojtësi i të akuzuarit Nexhat Çoçaj, avokati Bashkim Nevzati, ka ngritur shqetësimin rreth mënyrës së marrjes së provave, duke ngritur dyshime nëse provat janë marrë me urdhëresë të duhur nga gjykata, duke potencuar se disa prova janë siguruar me vepër penale, pasi që personi i cili i ka ofruar hetuesisë, të dhënat financiare për të mbrojturin e tij, është dënuar, me aktgjykim të plotfuqishëm, për të njëjtën arsye.

Në dhjetor të vitit 2014, Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë me të cilën i akuzon të pandehurit se në bashkëpunim kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit për vete apo tjetrin, në atë mënyrë që duke qenë përgjegjës për manifestimin “Remzi Ademaj”, secili në vitin përkatës brenda periudhës 2008-2012, kanë përdorur mjetet e derdhura në xhirollogarinë personale të secilit, me të cilat veprime, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Nexhat Çoçaj, akuzohet se duke qenë kryetar i Këshillit Organizativ ka bërë furnizime nga firma “Bogdani’ pronar i së cilës ishte vet ai, dhe kishte tërhequr para nga xhirollogaria pa u ditur destinacioni dhe e kishte tejkaluar buxhetin e lejuar për këtë manifestim, në shumën prej mbi 4000 eurove, pa vendim përkatës të komunës. Seanca e radhës, do të mbahet më 31 mars 2016.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë