VAZHDON GJYKIMI NDAJ TË AKUZUARIT PËR PËRVETËSIM MJETESH NË “PETROL COMPANY”

Raporton : Adem KRASNIQI

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, vazhdoi shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit Gazmend Abdyli, menaxher në pikën e shitjes së “Petrol Company” në Fushë Kosovë, i cili akuzohet për veprën penale “përvetësimi në detyrë”.

I pandehuri Gazmend Abdyli, akuzohet se si person përgjegjës – menaxher në kompaninë “Petrol Company”, në peridhën kohore nëntor 2012 deri në maj 2013, ka përvetësuar shumën prej 48.576.76 euro në dëm të kompanisë “Petrol Company”.

Në këtë seancë u morr në pyetje dëshmitari Gani Surdulli, ish-punonjës i “Petroll Company”. Në pyetjet e përfaqësuesit të “Petrol Company”, avokatit Kujtim Kërveshi, dëshmitari Surdulli tha se  para se ta lëshonte vendin e punës, në barazimin e fundit që e kishin bërë, kishte ndodhur një mospërputhje në barazim. “Përgjegjësinë e ka pasë menxheri që në këtë rast ka qenë Gazmend Abdyli. Pas kësaj ne e kemi njoftu Gazmendin dhe e kemi ballafaqu me këtë problem. Të gjithë menaxherët e kanë pasë për detyrë që për çdo ndërrim, raportet e tyre të barazimit t’i dërgojnë në zyrën e financave”, tha dëshmitari Surdulli.

Të enjtën u morr në pyetje edhe dëshmitari Hysni Jusaj, bashkëpronar i “Petrol Company”. Jusaj sqaroi se që nga fillimi kur e kanë pranuar në punë të akuzuarin Gazmend Abdyli, kanë pasur probleme me të. “Gjithmonë kur ka qenë koha për barazime, ai ka inskenu raste të ndryshme kinse është sëmurë ose gjëra të tjera dhe nuk ka ardhë që të barazohemi. Pas këtyre dyshimeve IT-ja i ka nxjerr të dhënat për raportet e tij të shitjes nga sistemi, dhe kemi parë që ka pasur mospërputhje të deklarimit të shitjeve dhe deklarimeve që i ka bërë i akuzuari. Ka dal minus më shumë se 40 mijë euro”, tha Jusaj. Dëshmitari Jusaj gjithashtu shtoi se pasi që kishte ndodhur kjo, kishte shkuar në pikën e shitjes në Fushë Kosovë dhe vet i akuzuari ia kishte pranuar këtë që ka bërë.  Seanca e radhës e fjalës përfundimtare u caktu më 16 maj 2016 në ora 13:00.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë