VAZHDON GJYKIMI NDAJ PRONARIT TË SPITALIT PRIVAT “HEART”

Raporton: Lutfi MORINA

Gjakovë – Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, të mërkurën,  ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit Hajrullah Binakaj për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe së bashku me të akuzuarin tjetër, Zeqë Kuqi, akuzohen se kanë bërë trajtime mjekësore të pandërgjegjshme dhe i janë shmangur tatimit.

Në këtë seancë ka dëshmuar Safet Krasniqi, drejtor i hetimeve tatimore në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), i cili ndër të tjera ka deklaruar se ATK nuk ka bërë inspektim të Spitalit “Heart”, por ka bërë vetëm një raport të dyshimit fillestar nga zyra në Gjakovë, të kërkuar nga Njësia për Krime Ekonomike e Policisë së Kosovës, në Pejë, në të cilin raport kanë konstatuar se është një borxh prej 47.823.74 euro. Gjithë këtë dyshim për shmangie të tatimit e kishin marrë në bazë të diferencës në qarkullimin financiar të deklaruara nga tatim paguesi dhe qarkullimi nga bankat, ku vërehet ndryshimi. Më tej ka shtuar se nuk kanë bazë ligjore që të bëjnë kontrolle për aspekte penale, pa autorizim nga Prokuroria e Shtetit. Më tej ka theksuar se bazuar në një interpretim ligjor, nga zyra ligjore e ATK-së, çdo borxh më i vogël se 1000 Euro, duhet të trajtohet si çështje administrative e jo si çështje penale.

Në këtë seancë ka dëshmuar edhe eksperti financiar Ali Shijaku, në lidhje me ekspertizën financiare të cilën e ka përpiluar në këtë rast, i cili ndër të tjera ka deklaruar se ka bërë një ekspertizë mbi qarkullimin e të ardhurave financiare të spitalit “Heart” nga viti 2005 e deri në vitin 2012, sipas urdhëresës së gjykatës, në të cilin ka konstatuar se ky subjekt nuk e ka paraqitur në ATK, shumën prej 47.587 Euro. Më tej ka shtuar se i ka pasur parasysh deponimet e bëra në xhirollogaritë e subjektit nëpër banka dhe se këto të dhëna i ka marrë nga ATK-ja në Gjakovë dhe raporti i dyshimit fillestar të njësisë hetuese tatimore në Prishtinë.

Më pas, trupi gjykues ka vendosur që të refuzojë disa propozime nga mbrojtësi i të akuzuarit Hajrullah Binakaj, avokati Teki Bokshi, duke refuzuar propozimin për të dëshmuar disa mjekë, të cilët kishin punuar në spitalin privat “Heart”, poashtu është refuzuar propozimi për një ekspertizë nga QKUK për personat që kanë vdekur, për të përcaktuar nëse janë trajtuar gabimisht dhe është refuzuar të thirren kontabilistët, të cilët kanë mbajtur librat afarist, të spitalit në fjalë dhe janë lexuar provat materiale nga shkresat e lëndës.

Poashtu në këtë seancë ka filluar mbrojtjen e tij, i akuzuari Hajrullah Binakaj, i cili ndër të tjera ka thënë se nuk është e vërtetë se ka ofruar shërbime mjekësore pa përfunduar fakultetin e mjekësisë. Sipas tij, ai ka kryer fakultetin e mjekësisë në Zvicër dhe specializimin e ka bërë në Francë, poashtu në këtë spital në të cilin ai ka qenë pronar-menaxher, ka pasur të punësuar shumë doktor-specialist, të cilët i kanë trajtuar pacientët. Tutje ai ka sqaruar se vdekjet e pacientëve në spitalin e tij kanë ndodhur në mënyrë normale për shkak të sëmundjeve e jo prej trajtimit të pandërgjegjshëm siç akuzohet nga organi i akuzës, me këtë rast ka sqaruar mënyrën e trajtimit mjekësor, për pacientët të cilët kishin vdekur.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, kryetari i trupi gjykues, Shaqir Zika, ka ndërprerë shqyrtimin dhe vazhdimin e të njëjtit e ka caktuar për 25 maj 2016, në ora 10:00.

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë