VAZHDON GJYKIMI NDAJ OFICERIT KORREKTUES TË QENDRËS SË PARABURGIMIT NË PRIZREN

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten, ka vazhduar shqyrtimit gjyqësor ndaj oficerit korrektues Kastriot Leku, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, duke futur në mënyrë të paligjshme telefon celular për një të burgosur.

Në këtë seancë, ka dëshmuar, dëshmitari I.H. i cili ndër të tjera ka deklaruar se ka qenë i paraburgosur në vitin 2014, dhe i kujtohej se gjatë një kontrolli në dhomën e tij, është gjetur një telefon mobil që sipas tij ka qenë i të paraburgosurit B.B. dhe se atë telefon, atij, ia kishte dhënë Kastriot Leku. Më tej ka shtuar se të gjithë të burgosurit e asaj dhomë e kishin përdorur për të kontaktuar me familjarët, për rreth dy muaj, ndërsa për këtë shërbim, sipas tij, i paraburgosuri B.B. kishte paguar 200-250 Euro dhe ishte një telefon i tipit të thjeshtë që kushtonte deri 25 Euro.

Poashtu ka dëshmuar Nezir Kryeziu, i cili ndër të tjera ka deklaruar se ai nuk ka pasur nevojë që oficerët korrektues ta ndihmojnë me ndonjë gjë, përveç rasteve kur burgu nuk ka pasur medikamentet të cilat i janë dashur, me këtë rast me një leje nga doktori i burgut ka pasur të drejtë të marrë këto medikamente nga jashtë, ndërsa për këtë punë ka angazhuar familjarët por shpesh edhe oficerët për t’ia blerë këto medikamente dhe ka pasur mundësi që në ndonjë rast edhe të akuzuarin ta angazhojë, por sipas tij, ky veprim nuk ka qenë dhe nuk është i paligjshëm, ndërsa sa i përket çështjes së telefonave ka thënë se nuk ka pasur asnjëherë problem për të biseduar sepse kanë pasur kabinën telefonike, në të cilën kanë mundur të bisedojnë nga 30 min çdo të dytën ditë por me sjellje të mira, janë lejuar nga oficerët që të bisedojnë edhe më shpesh.

Në këtë seancë ka dëshmuar edhe dëshmitari B.B. të cilit i është gjetur telefoni mobil, i cili me deklaratën e tij ka ngritur dyshime për personin me emrin Gjelal, të cilit nuk ia dinte mbiemrin, që sipas tij, ai kishte qenë personi që ia kishte dhënë telefonin mobil, kundrejt shumës 250 Euro. Më tej ka treguar se ai vetë ishte interesuar dhe kishte insistuar që të merrte një telefon mobil, të cilën kërkesë ia kishte plotësuar ky person, i cili e kishte marrë telefonin nga një shok i të paraburgosurit, më tej ka theksuar se i akuzuari nuk i ka bërë ndonjë shërbim të veçantë atij.

Prokurori i çështjes, Mehdi Sefa, ia ka kujtuar dëshmitarit B.B. se në deklaratën e tij para oficerëve, rreth telefonit të gjetur, kishte thënë se atë telefon ia kishte dhënë një i paraburgosur i cili ishte liruar dhe e kishte pasur telefonin në posedim, ndërsa dëshmitari ka thënë se këtë dëshmi të pavërtetë e ka bërë për të mos përmendur emrin e Gjelalit dhe se është nxënë në befasi nga rasti.

Ka dëshmuar edhe dëshmitari Liridon Bajraktari, i cili në këtë rast është përmendur në rrethanat se i ka dhënë  gjera të akuzuarit për të futur brenda në Qendrën Paraburgimit në Prizren, i cili ka thënë se është e vërtetë se një herë apo dy herë, i ka dhënë të akuzuarit cigare për t’ia dërguar babait të tij në paraburgim sepse sipas tij, në atë kohë nuk ka pasur kantinë në këtë qendër, ndërsa ka mohuar t’i ketë dërguar babit telefon apo gjera tjera në burg.

Kryetarja e Trupit Gjykues, Raime Elezi, për shkak të përfundimit të orarit të punës, ka ndërprerë shqyrtimin dhe të njëjtin e ka caktuar për datën 28 dhe 29 Prill 2016, në ora 13:00, në të cilin, pritet të dëshmojnë edhe disa dëshmitarë të propozuar nga prokuroria dhe nga mbrojtja.

Ky shqyrtim gjyqësor zhvillohet në bazë të aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Prizren, me të cilën i akuzuari Kastriot Leku, akuzohet se me qëllim të përfitimit material për vete, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që e ka futur një telefon mobil në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, për t’ia dhënë të paraburgosurit B.B. kundrejt një shume të konsiderueshme të hollash.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë