VAZHDON GJYKIMI NDAJ OFICERIT KORREKTUES TË QENDRËS SË PARABURGIMIT NË PRIZREN

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten, është mbajtur vazhdimi i shqyrtimit gjyqësor ndaj oficerit korrektues Kastriot Leku, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, duke futur në mënyrë të paligjshme telefon celular, për një të burgosur.

Në këtë seancë, ka dëshmuar, mbikëqyrësi i lartë, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, Shefidin Poniku, i cili ndër të tjera ka deklaruar se gjatë bastisje së qelisë C5, në të cilën nuk i kujtohej se kush banonte, ishte gjetur një telefon mobil. Më tej ka deklaruar se me rregulloret e brendshme nuk lejohet që të burgosurit apo oficerët me grada të ulëta, të mbajnë telefona celularë në pjesën banuese të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, por një privilegj të tillë e kanë vetëm zyrtarë të gradave të larta, poashtu ka theksuar se kur dëshiron dikush të kalojë nga pjesa e administratës tek pavijoni i të paraburgosurve, patjetër që kalon përmes detektorëve statik, dinamik dhe bëhet edhe kontroll fizik, me qëllim që të mos hyjë askush me ndonjë gjë që është e ndaluar. Më pas ka theksuar se gardianët nuk kanë të drejtë të furnizojnë të paraburgosurit me gjera por ato duhet ata t’i blejnë në kantinë apo t’i marrin nga familjarët gjatë vizitave javore.

Kryetarja e Trupit Gjykues, Raime Elezi, ka konstatuar se nuk ka kushte për të vazhduar shqyrtimin me arsye se nuk prezantojnë disa dëshmitarë, andaj shqyrtimin e ka ndërprerë dhe të njëjtin e ka caktuar për datën 19.05.2016, në ora 08:30, në të cilin, pritet të dëshmojnë dëshmitarët e mbetur, të propozuar nga palët.

Ky shqyrtim gjyqësor zhvillohet në bazë të aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Prizren, me të cilën i akuzuari Kastriot Leku, akuzohet se me qëllim të përfitimit material për vete, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që e ka futur një telefon mobil në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, për t’ia dhënë të paraburgosurit B.B. kundrejt një shume të konsiderueshme të hollash.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë