VAZHDON GJYKIMI NDAJ NUHI UKËS ME SHOKË

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten, ka vazhduar gjykimi ndaj të akuzuarve Nuhi Ukën dhe Fehmi Havollin për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, mashtrimit dhe krimit të organizuar, Sanije Muçollit për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim dhe nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, Mirafete Hashani Bislimit, Kadrije Hashanit, Kimete Hashani Ukaj, Hilmije Miftarit dhe Ibadete Hashani-Cakaj të cilat akuzohen për veprën penale të legalizimit të përmbajtjes së rremë.

Në këtë seancë është vendosur rreth disa parashtresave të dorëzuara nga palët mbrojtëse gjatë seancave, me anë të të cilave është plotësuar dhe mbyllur procedura e provave.

Trupi gjykues ka vendosur që të pranojë si provë një material nga Gjykata Themelore e  Prishtinës, me të cilën dëshmohet mënyra e ndarjes së lëndëve nëpër gjyqtarë, poashtu një rregullore nga ish-Gjykata Komunale në Prishtinë, e vitit 2006, rreth përcaktimit të detyrave për gjyqtarët dhe administratën e gjykatës. Kanë pranuar edhe prova të tjera që do të ndihmojnë rreth vendosjes si, komentarë dhe raste të ngjashme si ky, të gjykuara me herët.

Trupi gjykues ka refuzuar propozimet e mbrojtjes për disa dëshmitarë me arsye se disa ishin me nacionalitet serb dhe sigurimi i tyre merr shume kohë dhe sipas kryetarit të trupit gjykues, Arcadius Szedek, dëshmia e tyre është e panevojshme sepse tashme kanë mbledhur mjaft fakte dhe dëshmi për të vendosur në  këtë qështje penale.

Prokurori i çështjes, Danillo Chicarelli, ka deklaruar se në këtë gjykim, nga ana e mbrojtjes janë paraqitur shumë prova të falsifikuara, andaj ka kërkuar nga Trupi Gjykues që të mos pranojë asnjë provë tjetër nga ta.

Me këtë rast kanë reaguar mbrojtësi i të akuzuarit Nuhi Ukaj, avokati Tahir Rrecaj duke deklaruar se prokurori nuk ka të drejtë të cenojë kredibilitetin e provave të mbrojtjes në këtë mënyrë, por nëse ka fakte se ne kemi paraqitur prova të falsifikuara, ai të ndërmarrë veprimet e nevojshme si prokuror, por prokurori ka reaguar duke thënë se “nuk kam të drejtë”.

Pasi që seanca nuk mund të vazhdonte pasdite për shkak të një urgjence familjare nga një anëtar i trupit gjykues, prokurori ka deklaruar se nuk është në rregull që të fillojë fjalën e pastaj ta vazhdojë në seancën e radhës sepse sipas tij kjo fjalë nuk është e shkurtë, poashtu ka kërkuar që seanca e radhës të mbahet në Prishtinë në mënyrë që të mundësohet përkthimi simultant sepse vetëm ai, pa përkthim, ka një fjalë përfundimtare që, sipas tij, do të zgjasë më shumë se dy orë.

Në bazë të rrethanave të krijuara, kryetari i trupit gjykues,  Arcadius Szedek, ka ndërprerë shqyrtimin dhe të njëjtin e ka caktuar për datat 8 dhe 11 Prill 2016, në ora 10:00, poashtu ka theksuar se do të bëjë kërkesë nga kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren, Ymer Hoxha, për të lejuar, që fjala përfundimtare në këtë rast, të mbahet në Prishtinë për shkak të mundësisë së përkthimit simultant, gjë që mungon në Prizren.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon Nuhi Ukën dhe Fehmi Havollin për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, mashtrimit dhe krimit të organizuar. Ndërkaq, Sanije Muçolli tani me profesion avokate dhe ish-gjyqtare akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim dhe nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore. Akuza përfshinë edhe Mirafete Hashani Bislimit, Kadrije Hashanit, Kimete Hashani Ukaj, Hilmije Miftarit dhe Ibadete Hashani Cakaj të cilat akuzohen për veprën penale legalizimi i përmbajtjes së rremë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë