VAZHDON GJYKIMI NDAJ NAIM KRASNIQIT, DËSHMOJNË ZYRTARËT E SHËRBIMIT KORREKTUES

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka vazhduar gjykimi ndaj Naim Krasniqit, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Në seancën e mbajtur të hënën kanë dëshmuar Shemsi Hajrizi dhe Sokol Zogaj, zyrtarë të shërbimit korrektues të Kosovës.

Sipas aktakuzës së ngritur më 24 tetor 2014 nga prokurorja Merrushe Llugiqi, Naim Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, duke mos i përmbushur detyrat e tij zyrtare, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme dobi pasurore për operatorin ekonomik “Renalt Center Muqiqi”.

I akuzuari Krasniqi, si menaxher i kontratës së lidhur ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe operatorit ekonomik “Renalt Center Muqiqi”, nuk e ka kryer ekzekutimin e sigurisë së kontratës për servisim të automjeteve dhe nga i njëjti operator ekonomik nuk ka kërkuar që t’iu përmbahet obligimeve të tij kontraktore, që shërbimet dhe furnizimet të bëhen në çmime më të volitshme ashtu siç janë paraparë në kontratë, në të cilën kontratë operatori ekonomik obligohet që të mbajë në stoqe sasi të mjaftueshme të pjesëve rezervë të automjeteve të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Aktakuza thekson se i akuzuari Krasniqi ka aplikuar çmime më të larta për shërbimet e ofruara nga operatori ekonomik dhe kjo diferencë në çmime në mes të riparimeve të faturuara nga çmimet e parapara në kontratë, Shërbimit Korrektues të Kosovës i ka shkaktuar dëm në shumën prej 1,440.50 eurove.

Në seancën e së hënës, kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri, prezantoi palët në procedurë duke vazhduar marrjen në pyetje të dëshmitarëve.

Shemsi Hajrizi, në pyetjet nga antarët e trupit gjykues, deklaroi se gjatë kohës për të cilen po akuzohet i pandehuri Krasniqi, ai ka qenë ushtrues i detyrës si drejtor i përgjithshëm i shërbimit korrektues. Ai tutje deklaroi se ka qenë në dijeni se Krasniqi ishte menaxher i kontratës në mes të Ministrisë së Drejtësisë dhe operatorit ekonomik “Renalt Center Muqiqi”.

Tutje ai bëri të ditur se me hetuesit e ka diskutuar çështjen e kontratës, pasi që për nga pozita ka qenë mbikëqyrës i punës së tij, njëherit edhe ushtrues i detyrës së drejtorit të përgjithshëm. Ai gjithashtu tha se ka dhënë deklaratën në procedurën paraprake, në të cilën procedurë edhe është njoftuar me rastin.

Detyrat dhe përgjegjësitë e të akuzuarit në këtë rast kanë qenë servisimi dhe riparimi i automjeteve. Më pas dëshmitari Hajrizi spjegoi procedurën e përpilimit të kërkesës, e cila kërkesë dorzohet tek menaxheri i kontratës dhe më pas tek operatori në fjalë.

Hajrizi para trupit gjykues më pas deklaroi se sipas kontratës, operatori është i obliguar që të mbaj 20% të mjeteve, mirëpo nuk është e cekur se cilat pjesë. Ai tutje theksoi se cdo herë ka qenë i njoftuar nga ana e Krasniqit dhe se ai personalisht ka pranuar kërkesat për të vetmin qëllim që automjeti të jetë në gjendje të rregullt. Më pas ai tha se organi kompetent për të shikuar çmimin e riparimeve ka qenë prokurimi.

Hajrizi tutje tha se konsideron se asnjëherë nuk ka qenë nevoja që ndaj Krasniqit të ndërmirret ndonjë masë disiplinore pasi që i njëjti gjithmonë i ka përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e tij. Lidhur me ekspertizën financiare ai tha se nuk pajtohet dhe se në rastin konkret nuk ka pasur dëmtim të kontratës.

Në pyetjet e prokurores së rastit Llugiqi, dëshmitari deklaroi së është në dijeni se kanë ekzistuar dy kontrata, ku në kontratën e parë, çmimi ka qenë 1 euro për kilometrazh, ndërsa në kontratën e dytë, çmimi i precizuar ka qenë 3.5 euro.

Ai më pas shtoi se specifikat e automjeteve përpilohen para se të lidhen kontratat dhe se në bazë të dy kontratave të lidhura, operatori ekonomik në fjalë 20% ka qenë i obliguar t’i mbaj rezervë. Ai tha se një kontratë gjithmonë është e lidhur për një lloto të automjeteve.

Më pas u vazhdua marrja në pyetje e dëshmitarit Sokol Zogaj, i cili në pyetjet e trupit gjykues deklaroi se gjatë periudhës për të cilen po akuzohet i pandehuri Krasniqi ka qenë zëvendës drejtor i përgjithshëm për operativë dhe siguri. Ai tha se konsideron që këto dy kontrata në fjalë i pandehuri Krasniqi i ka menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme.

Tutje Zogaj tha se Krasniqi gjithmonë e ka njoftuar dhe informuar për problemet të cilat i ka hasur rreth kontratës, mirëpo në të njëjtën kohë ai e ka pasur obligim që ta njoftoj prokurimin për mos përmbushjen e detyrave të kontratës. Ndërsa sa i përket mesatarës së riparimeve brenda muajit ai tha se nuk i kujtohet.

Në pyetjet e prokurorës së rastit, dëshmitari Zogaj shpjegoi procedurën e shpalljës së tenderit, ndërsa në rastet kur operatori ekonomik në fjalë nuk i ka përmbushur kushtet ai tha se Krasniqi gjithmonë e ka njoftuar Prokurinë.

Kryetarja e trupit gjykues, Gërguri e shpalli të përfunduar procedurën e provave, duke caktuar seancën e radhës me datë 20 maj, në të cilën do të mbahet fjala përfundimtare.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë