VAZHDON GJYKIMI NDAJ ISH-ZYRTARËVE TË  INSTITUCIONIT MIKROFINANCIAR “FINCA”

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten, ka vazhduar gjykimi ndaj të akuzuarve Besart Halimi, Liridon Krasniqi, Liridona Qafleshi dhe Xheneta Bahtijari, të cilët akuzohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, me rastin e dhënies së kredive fiktive, për persona të ndryshëm.

Në këtë seancë ka vazhduar dëshminë Alban Spahiu, i cili poashtu ka qenë i akuzuar në këtë rast penal, si shef i nëndegës së “FINCA” për Dragash, por i njëjti kishte arritur marrëveshje mbi pranimin e fajësisë dhe është duke e vuajtur dënimin. Ai në deklaratën  e tij ka thënë se krejt mashtrimin ndaj “FINCA” e kishte bërë vetë dhe nuk i kishte treguar askujt, vetë i kishte mbushur formularët për kredi të klientëve dhe kishte tërhequr paratë. Më tej ka theksuar se të akuzuarit në këtë rast, kanë qenë vartësit e tij dhe nuk kanë pasur njohuri për veprimet e tij, por i kanë besuar atij në miratimin e kredive dhe duke u frikësuar për vendin e punës edhe nëse kanë dyshuar për ndonjë gjë, nuk kanë guxuar të më tërheqin vërejtjen.

Ka dëshmuar edhe Avdullah Sahtjari, klient i “FINCA” i cili tha se një herë ka marrë kredi prej 500 euro, por më vonë e kanë thirr zyrtarët e këtij institucioni duke i thënë se duhet ta kthejë kredinë e marrë prej 4500 euro, të cilën ai kurrë nuk e kishte marrë, andaj në këtë moment është kuptuar se diçka nuk është në rregull.

Poashtu ka dëshmuar edhe përfaqësuesi i “FINCA” i cili ka deklaruar se në vitin 2011 është bërë një auditim i befasishëm me ç’rast është evidentuar se ka dhënie të kredive, për klientë fiktiv, ku vetëm në javën e parë të vizitave në teren, kishin zbuluar rreth 70.000 euro kredi të lëshuara për klientë fiktiv. Më tej ka theksuar se në bazë të rezultateve të auditimit dhe dëshmive tjera, të gjitha paratë ishin përvetësuar nga ish menaxheri i dënuar Alban Spahiu.

Prokurori i çështjes, Mehdi Sefa, ka kërkuar kohë që të gjejë adresën e dëshmitares së propozuar nga ai, që sipas fletëkthesës, duket se ka lëvizur nga fshati Brod,  në qytetin e Dragashit.

Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, ka marrë aktvendim me të cilin i ka dhënë prokurorit, afat prej shtatë ditësh, për sigurimin e adresës së dëshmitarit, përndryshe do të konsiderohet se ka hequr dorë nga dëgjimi i tij, dhe seancën e radhës e ka caktuar më 27 prill 2016, në ora 09:30.

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda ka ngritur aktakuzë ndaj akuzuarve Besart Halimi, Liridon Krasniqi, Liridona Qafleshi dhe Xheneta Bahtijari, me të cilën, i akuzon se kanë përdorur pozitat e tyre zyrtare, për të përfituar të mira material për personin tjetër, në mënyrë të paligjshme, ashtu që duke punuar në nëndegën e “FINCA” në Dragash, kanë plotësuar formularë dhe përgatitur dosje për të lëshuar kredi për klientë fiktiv.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë