VAZHDON GJYKIMI NDAJ GJYKATËSIT DHE EKSPERTIT MJEKO-LIGJOR PËR KEQPËRDORIM TË DETYRËS ZYRTARE

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të martën, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj gjykatësit Behar Ymeri nga Gjilani, i cili akuzohet për vepën penale “nxjerra  e kundërligjshme e vendimit  gjyqësorë “ si dhe ndaj ekspertit mjeko-ligjor, Naim Haliti, i cili akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren ish-gjykatësi Behar Ymeri akuzohet se si gjykatës në Gjykatës Themelore në Gjilan kishte nxjerrë vendim të kundërligjshëm duke aprovuar kërkesën e prokurorit për dhënien e urdhërit ndëshkimor, përkundër faktit se para se të merrte aktgjykimin, kishte ofruar prova të reja në të cilat ishte konstatuar gjendja e re faktike, ku natyra e lëndimeve kishte rezultuar me pasoja të rënda dhe të përhershme dhe në këtë mënyrë me nxjerrjen e aktgjykimit në fjalë i kishte shkaktuar dëme të dëmtuarës Blerta Halimi, e cila ka qenë viktimë në aksidentin e shkaktuar.

Naim Haliti akuzohet se si ekspert mjeko-ligjor kishte tejkaluar kompetencat dhe nuk kishte përmbushur detyrat zyrtare në atë mënyrë që me rastin e dhënies së konkluzionit të datës 11 dhjetor 102 lidhur me natyrën e lëndimeve të dëmtuarës Blerta Halimi në kundërshtim me realitetin që rrjedh nga aksidenti rrugor dhe raporti mjekësor të lëshuar nga spitali si dhe gjendjes së pacientës Blerta Halimi, e cila ishte e shtruar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, i kishte kualifikuar dëmtimet e shkaktuara nga aksidenti rrugor si lëndim të lehtë trupor, përkundër se në rastin konkret lëndimet kanë qenë të rënda.

Në seancën e së martës ka dëshmuar Armend Maloku, i cili e kishte aksidentuar të dëmtuarën Blera Halimi. Maloku tha se pasi e kishte aksidentuar Blertën, tanimë të dëmtuarën, menjeherë rastin e kishte paraqitur në polici, dhe ku pastaj atje është mbajtur për 48 orë. Tha se ishte marrë në pyetje nga hetuesit policor dhe më pas edhe në prokurori, ku gjatë kësaj kohe prezent kishte qenë edhe avokati i tij, Agron Mustafa.

Dëshmitari tha se gjatë kohës sa ishte mbajtur në polici nuk e kishte ditur gjendjen shëndetësore të Blerta Halimit, vetëm se kishte qenë në dijeni se e njëjta ishte në Qendrën Emergjente në Gjilan, dhe për këtë ishte njoftuar nga avokati i tij. Ai për rastin në fjalë tha se ishte dënuar  me gjobë, në shumën prej 200 euro dhe që të njejtin menjëherë pasi ishte lëshuar nga mbajtja kishte shkuar në Gjykatë.

Gjatë dhënies së dëshmisë, prokurori Shukri Jashari, i dha vërejtje dëshmitarit për mënyrën se si përgjigjej, pasi i njëjti disa herë përgjigjej me ton të lartë dhe e përsëriste fjalën “ngom mu”.

Pas dhënies së deklaratës së dëshmitarit, para trupit gjykues u paraqit i akuzuari Behar Ymeri që të jap mbrojtjen e tij. Ish-gjykatësi Ymeri tha se aktgjykimin për rastin konkret, e kishte shqiptuar duke u bazuar në dokumentacionin që gjendej në lëndë, ku gjendeedhe raporti i ekspertizës, i përpiluar nga eksperti mjeko-ligjor, Naim Haliti, tanimë i bashkëakuzuar.

Në pyetjet e parashtruara nga përfaqësuesi i të dëmtuarit avokatit Rrustem Latifaj, i akuzuati tha se në ekpertizë shënohej se e dëmtuara kishte lëndime të lehta trupore, ndërsa përkitazi me dënimin në vlerë prej 200 eurove ndaj e ish-të pandehurit Armend Maloku, Ymeri tha se dënimi ishte shqiptuar në bazë të urdhërit-ndëshkimor, urdhër ky i shqiptuar nga prokurori.

Para trupit gjykues ka dhënë mbrojtjen e tij i akuzuari tjetër, Naim Haliti. Ai tha se si ekpert në Institutin e Mjekësisë Ligjore kishte filluar punën në vitin 2002, ndërsa  lidhur me atë se sa ekspertiza përafërsisht i kryen, ai u përgjigj se brenda muajit i kryen rreth 100 ekspertiza mjeko-ligjore, plus autopsitë. Lidhur me rastin konkret, i akuzuari Haliti tha se gjithë ekpertizën e tij e ka nxjerrë në bazë të dokumentacionit që ka ekzistuar në lëndë, përkatësisht raporteve mjekësore të lëshuara nga Spitali i Gjilanit dhe urdherësës së dhënë nga ana e ish-Gjykatës Komunale në Gjilan, dhe vetëm në bazë të tyre e ka përpiluar ekspertizën, ndërsa në lëndë tha se nuk kishte asnjë raport mjekësor të lëshuar nga QKUK, sepse po të kishte ndonjë të tillë, ai nuk do t’a kishte përpiluar raportin deri sa të pranohej ai raport nga QKUK.

Prokurori Shukri Jashari, ka kërkuar nga trupi gjykues që të sigurohet urdhëresa e lëshuar në vitin 2012 nga gjyqtari paraprak, për të sqaruar dilemën lidhur me raportin e dorëzuar nga Spitali në Prokurori, si provë materiale, dhe atë raport së bashku me urdhëresën e lëshuar nga gjyqatri paraprak, e cila pastaj i ishte dërguar ekspetit për të nxjerrë ekspertizën lidhur me rastin konkret.

Trupi gjykues seancën e rradhës e ka caktuar për 11 mars 2016, ku edhe do të dëgjohet fjala përfundimtare e palëve.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë