Vazhdon gjykimi ndaj Daut Xhemajlit

Raporton: Gita LUSHI

Gjilan, 12 shkurt 2016 – Në vazhdimin e procesit gjyqësor kundër ish-zyrtarëve komunal të Vitisë, në Gjykatën Themelore në Gjilan, të premtën, në cilësinë e dëshmitarit të prokurorisë është paraqitur oficeri policor Shkumbin Sahiti.

Tre ish-zyrtarët komunal të Vitisë, Daut Xhemajli, Avdullah Emini dhe Sabri Sherifi, akuzohen nga Prokuroria Themelore e Gjilanit se gjatë vitit 2008-2009 kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokurori Afrim Shefkiu e ka marr në pyetje dëshmitarin Shkumbin Sahiti, i cili tha se në fillim të vitit 2011, njësiti i tyre i policisë, kishin pranuar një shkresë nga prokuroria, në të cilën ishte kërkuar që të hetohen disa dyshime që ishin paraqitur nga ana e disa këshilltarëve komunal në Viti. Dyshimet, sipas dëshmitarit, ishin lidhur me dhënien e disa tenderëve, të cilët i kishte shpallur komuna e Vitisë gjatë periudhës 2008-2009, përfshirë edhe periudha të mëhershme.

Pas kësaj, sipas dëshmitarit, hetuesit policor menjëherë ishin nisur për në zyrën e prokurimit  në Viti, ku edhe kishin kërkuar të gjitha dosjet e tenderëve, të cilat ishin dhënë në periudhat e vitit 2008-2009. Sipas dëshmitarit, nga shqyrtimi i këtyre dosjeve është hasur në shkelje të ligjit të prokurimit dhe në bazë të kësaj policia kishte ngritur kallëzim penal.

“Ne jemi interesuar lidhur me këtë çështje dhe kemi shkuar edhe te pronari i kompanisë “Art Projekt”, të cilin e kemi pyetur  se në çfarë forme e keni marrë  këtë projekt detaj, i njëjti ka sqaruar se ishte marr vesh me Daut Xhemajlin, përkundër faktit që komuna kishte qenë e obliguar të shkoj në procedurë dhe t’u jap mundësi edhe kompanive tjera”, u shpreh dëshmitari policë. Ai po ashtu tha se jo vetëm në këtë rast, por edhe në 17 raste tjera nuk ishte kërkuar aprovimi  nga ana e zyrtarëve komunal të Vitisë.

Gjatë dëshmisë, Shkumbin Sahiti, tha se kanë hasur në shkelje edhe në rregullimin e trotuarëve dhe kanalizimit në të dy anët e rrugës në fshatin Pozhoran, ku bëhet fjalë për një kontratë që i është dhënë një kompanie, diku rreth 80 mijë euro për kryerjen e punimeve në këtë fshat. Sipas tij, në këtë projekt, mungojnë rreth 200- 300 metra trotuar. Përveç oficerit policor, në këtë seancë, kanë dëshmuar edhe Selver Beqiri dhe Florim Ramaj, të cilët ishin zyrtarë të këtyre projekteve në Komunën e Vitisë, para se në këtë pozitë të vinte i akuzuari Sabri Sherifi.

Sipas aktakuzës, Daut Xhemajli, akuzohet se në cilësinë e shefit të Departamentit të Administratës dhe Personelit në Komunën e Vitisë, me qëllim të shkaktimit të dëmit për personin tjetër ose për organizatën e biznesit, ka shpërdorur pozitën e tij zyrtare, duke tejkaluar detyrat zyrtare,dhe me këtë ka shkelur dispozitat e Ligjit të Prokurimit Publik.

I akuzuari tjetër, Avdullah Emini, në cilësinë e shefit të zyrës së Prokurimit në Komunën e Vitisë, me qëllim të shkaktimit të dëmit për personin tjetër ose për organizatën e biznesit, ka shpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke shkelur dispozitat e Ligjit të Prokurimit Publik. Sipas aktakuzës me datë 11 shtator 2009 në cilësinë e personit zyrtar, Emini në mënyrë të kundërligjshme ka vazhduar kontratën për punë me operatorin ekonomik NTP “Izi Petroll” nga Vitia për furnizim me derivate të naftës për automjete, gjenerator dhe për nxemje qendrore, gjatë së cilës kohë komuna ka shfrytëzuar derivate të natës në vlerë prej 79.352.00 euro.

I akuzuari i tretë, Sabri Sherifi, akuzohet se në cilësinë e menaxherit për mbikëqyrje të punimeve në rregullimin e trotuareve edhe kanalizimeve në të dy anët e rrugës në fshatin Pozharan të Vitisë, me qëllim të shkaktimit të dëmit për personin tjetër ose për organizatën e biznesit, ka shpërdorur detyrën e tij zyrtare dhe me këtë ka shkelur dispozitat e Ligjit të Prokurimit Publik. Seanca e radhës do të mbahet më 31 mars 2016, në orën 9:00.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë