VAZHDON GJYKIMI KUNDËR TRE TË AKUZUARVE PËR ZHVATJE TË PARAVE TË DEDIKUARA PËR SHËRIM TË FËMIJËVE

Raporton: Diana BERISHA

 

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj Abedin Sylës, Bekim Hamitit dhe Xhavit Gashit të akuzuar për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar. Në këtë seancë ka dëshmuar i dëmtuari Habib Nuredini.

Në bazë të aktakuzës së ngritur, prokurorja Besa Limani pretendon se të akuzuarit Abedin Syla, Bekim Hamiti dhe Xhavit Gashi, duke e shfrytëzuar detyrën si persona zyrtar në Organizatën jo Qeveritare “Shpëto Jetë” me seli në Lipjan kanë kaluar kompetencat e tyre duke shkelur të drejtat e personit tjetër. Sipas aktakuzës, të akuzuarit gjatë periudhës 2010-2011, në bashkëkryerje kanë keqpërdorur dokumentacionin mjekësor dhe autorizimin e të dëmtuarit Habib Nuredini dhe në emër të fëmijës së tij të sëmurë nga epilepsia Gëzim Nuredini, kanë kërkuar mjete nga qytetarët në vende të ndryshme të Kosovës. Si rezultat i këtij aktiviteti, të akuzuarit kanë realizuar të ardhura në shumë prej 15.185.76 eurosh, dhe prej gjithë kësaj shume të dëmtuarit i kanë dorëzuar vetëm 4200 euro.

Tutje në dispozitivin e aktakuzës Prokuroria Limani thekson se të akuzuarit i kanë ofruar të dëmtuarit Nuredini që të nënshkruaj një kontratë fiktive në vlerë prej 3000 euro gjoja se ka pranuar këtë shumë të të hollave me arsyetimin se faturat e shpenzimeve të Organizatës janë vjedhur në një autolarje në Lipjan.

Procesi gjyqësor vazhdoi me dy të akuzuarit Abedin Syla dhe Bekim Hamiti, përderisa për të akuzuarin Xhavit Gashi do të veçohet procedura meqenëse i njëjti është jashtë shtetit dhe është i pa arritshëm për Gjykatën.

Prokurorja në fjalën hyrëse deklaroi se aktakuza është e mbështetur në prova të mjaftueshme të cilat do të administrohen gjatë shqyrtimit kryesor ku edhe do të vërtetohet fajësia e të akuzuarëve, si dhe e mbështet në tërësi vazhdimin e procesit gjyqësor ndaj dy të akuzuarëve për shkak të ekonomizimit dhe mos zvarritjës së lëndës.

Shqyrtimi vazhdoi me fjalën hyrëse nga i dëmtuari Nuredini i cili deklaroi se me të akuzuarit njihet përmes një aktivistës në Organizatën humanitare “Shpeto Jetë”, ku më pas e njëjta e ka orientuar tek Abedin Syla, Bekim Hamiti dhe Xhavit Gashi. I dëmtuari Nuredini më pas ka kërkuar nga të njëjtit që t’a ndihmojnë rreth sigurimit të mjeteve financiare për shërimin e djalin të tij, i cili vuan nga epilepsia. Ai theksoi se bashkëpunimi në mes tyre kishte filluar në vitin 2010 ku menjëherë i ishin ofruar 4200 euro të cilat të akuzuarit i kishin grumbulluar për shërimin e djalit të tij. Mirëpo në muajin mars të vitit 2010 të akuzuarit e kishin ndërprerë grumbullimin e parave me pretendimin se do të vazhdonin më vonë ku tutje kishin kërkuar nga i dëmtuari të nënshkruaj një faturë në vlerë prej 3000 euro me arsyetimin e mbulimit të shpenzimeve për punëtorët e Organizatës si dhe duke i premtuar të dëmtuarit se paratë do t’i kompensohen kur të vazhdojnë me grumbullimin e tyre. Më vonë Nuredini e kishte kuptuar se i akuzuari Bekim Hamiti ishte larguar nga Organizata dhe i njëjti i ka kompensuar shumën totale prej 3000 euro edhe pse marrëveshja ka qenë që këtë shumë t’a pagujanë përgjysmë me Abedin Hyseni mirëpo ky i fundit duke i pasur kushtet e vështira financiare e kishte të pamundshme ta mbulojë gjysmën e atij çmimi mirëpo i kishte ndihmuar në forma të tjera.

Tutje, në shtator të vitit 2011 Nuredini e kishte tërhequr autorizimin për grumbullimin e mjeteve sepse kishe filluar të dyshojë që të akuzuarit po e keqpërdornin për përfitime të veta personale, ku më 30 dhjetor 2011 të akuzuarit janë kapur nga Policia e Kosovës për shkak se të njëjtit kishin vazhduar grumbullimin e parave me një kopje të autorizimit edhe katër muaj me radhë.

I dëmtuari tutje tha se do të parashtrojë kërkesë pasurore juridike sa i përket shumës të cilën i akuzuari Abedin Hyseni ende i kishte borxh, ndërsa ndaj të akuzuarit Bekim Haliti nuk do të ushtrojë kërkesë, pasi që i njëjti ka kompensuar dëmin.

Kryetari i trupit gjykues, Faik Hoxha caktoi shqyrtimin e radhës më 11 maj 2016, në ora 09:00, ku ftohet të dëshmojë Liridona Hasani.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë