VAZHDON GJYKIMI KUNDËR DY MOTRAVE TË AKUZUARA PËR KORRUPSION – 700 EURO

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Dy motrat Myvedete Gavazaj dhe Shpresa Hasani-Kryeziu, janë paraqitur të hënën në Gjykatën Themelore në Prizren, nën akuzën për keqpërdorim të pozitës zyrtare, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit, dëm prej 700 Euro.

Sipas aktakuzës, dy motrat kanë përdorur lidhjen e tyre familjare, për të përfituar të mira materiale, në mënyrë të paligjshme, në atë mënyrë që e akuzuara Shpresa Hasanaj-Kryeziu si profesoreshë në shkollën e mesme ekonomike në Prizren, për një periudhë prej tre muajsh, nuk i ka mbajtur disa orë mësimore, ndërsa e akuzuara tjetër Myvedete Kavazaj si drejtoreshë e të njëjtës shkollë e ka lejuar të ndodhë një parregullsi e tillë. Prokuroria pretendon se të akuzuarat, duke keqpërdorur detyrën i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej 700 eurosh.

Në seancën e së hënës, ka dëshmuar Hamide Shala, e cila ndër të tjera, ka deklaruar se profesoresha Shpresa Hasani-Kryeziu i kishte mbajtur orët mësimore në shumicën e rasteve përveç në rastet kur kishte qenë e sëmurë dhe se në fillim të vitit shkollor 2014-2015 kishte harruar t’i shkruante orët mësimore në ditar, ndërsa më pas i kishte plotësuar. Dëshmitarja tha se në rastet kur e akuzuara nuk kishte mundur t’i mbante orët, ato i kishte mbajtur profesoresha tjetër Mexhide Qollaku.

Gjatë kësaj seance, ka dëshmuar edhe inspektori i arsimit Rexhep Jakupi, i cili në mes tjerash, tha se gjatë inspektimit që kishte bërë më 18 dhjetor 2014, kishte gjetur se orët nga lënda ‘Gjuhë dhe Komunikim’ nuk ishin mbajtur për tre muaj rresht, pastaj ai i kishte dhënë rekomandim shkollës që orët e humbura të mbaheshin brenda 60 ditëve dhe profesoreshës së lëndës t’i jepet vërejtje me shkrim nga ana e Drejtorisë së Shkollës, të cilat rekomandime shkolla i kishte zbatuar.

Seanca e së hënës, është ndërprerë për shkak të përfundimit të orarit të punës dhe e njëjta do të vazhdojë më 14 mars 2016, në orën 13:30.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë