Vazhdon gjykimi i zyrtarëve të Komunës së Kllokotit për korrupsion

Raporton: Syzana REXHEPI

Gjilan – Në çështjen penale ndaj zyrtarëve të Komunës së Kllokotit, Daniel Stojkoviq, Sllavisha Marinkoviq,Voisllav Kostiq, Zeqir Selimi dhe Florent Eminit,të akuzuar për veprën penale “shpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimit ”, në cilësi të dëshmitarit u dëgjua ish-Kryetari i Kllokotit Sasha Mirkoviq.

Dëshmitari Mirkoviq, tha se komisioni ishte formuar me vendimin e tij sepse sipas ligjit Kryetari i Komunës formon komisionin për pranimin teknik. Ai tha se lidhur me punimet  në fshatin Gërnçar nuk i kishin raportuar direkt atij por i kishin raportuar administratës, por ato dokumente ishin nënshkruar nga ai.

Ai deklaroi se kishte qenë fundi i mandatit të tij si Kryetar nuk i kujtohet se a kishte nënshkruar pagesën për rastin konkret. Mirkoviq tha se të gjithë anëtarët e komisionit kanë qenë me shkolla të mesme dhe asnjëri prej tyre nuk kishte qenë profesionist por ai tha se sa i përket ndershmërisë kanë qenë shumë të ndershëm dhe nuk beson se kanë mund të dëmtojnë buxhetin e Komunës. Gjithashtu tha se në asnjë rast nuk kishte ndikuar tek anëtarët e komisionit për pranimin e punimeve.

Sipas pretendimit të prokurorisë i pandehuri Daniel Stojkoviq në cilësi të organit mbikëqyrës për implementimin e projektit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, në mënyrë të kundërligjshme dhe në kundërshtim me interesat  dhe qëllimin e Komunës së Kllokotit, nuk i ka kryer punët dhe detyrat e tij për të cilat ka qenë i autorizuar  sipas vendimit të Organit Mbikëqyrës nr.3886/13 të date 29.10.2013. Ai akuzohet se nuk i ka ndërmarrë  veprimet zyrtare të nevojshme që ka qenë i detyruar ti ndërmarrë, për raportim  të drejtë lidhur me përmbushjen e kontratës për implementimin e projektit. Ai akuzohet se me këtë ka lënë pas dore interesat dhe qëllimet e Komunës së Kllokotit, duke i zëvendësuar me interesat e veta apo interesat e kompanisë ‘Pro & Co Grup“ për t’i sjellë dobi financiare vetës apo kompanisë në fjalë, duke përpiluar një raport me shkrim ku ka konstatuar se punimet sipas kontratës në fjalë janë përmbushur sipas planit. Në këtë mënyrë ka fshehur gjendjen reale në teren dhe mos raportimi i drejtë për të meta në përmbushjen e kontratës për asfaltimin e rrugicave të fshatit Gërncar, bazuar në ekspertizën e inxhinierit të ndërtimtarisë i ka shkaktuar Komunës së Kllokotit dëm në vlerë 9.573.07 euro.

Ndërsa të pandehurit Sllavisha Marinkoviq,Voisllav Kostiq dhe Zeqir Selimi  në cilësinë  e komisionit  për pranimin teknik  në kuadër të Komunës së Kllokotit duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare të cilat kanë qenë të obliguar si komision për vlerësimin e gjendjes reale të asfaltimit të rrugëve në fshatin Gërnçar si dhe për vërtetim të gjendjes reale lidhur me përmbushjen e kontratës. Si komision ka dal në teren dhe ka përpiluar procesverbal për pranimin teknik, duke konstatuar se të gjitha aktivitetet e planifikuara sipas projektit janë kryer kinse pa të meta, njëkohësisht pas vërtetimit të gjendjes në teren janë pajtuar që kompanisë SHPK “ Pro & Co Group” t’i përfundohet pagesa, duke dëmtuar Komunën e Kllokotit.

I pandehuri Florent Emini në cilësin e menagjerit “ Pro & Co Group” duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të përfitoj dobi për vete apo t’i shkaktoj dëm personit tjetër edhe pse ka qenë në dijeni se punët nuk kanë përfunduar sipas planit ka përpiluar kërkesë për pranim teknik dhe fatura me përmbajtje të pavërtetë, kinse punët janë kryer sipas planit.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë