VAZHDON GJYKIMI I ZYRTARËVE TË DOGANAVE PËR KORRUPSION

Raporton: Syzana REXHEPI

Gjilan – Në Gjykatën Themelore në Gjilan, vazhdoi shqyrtimi gjyqësor ndaj dy zyrtarve të Doganave , Radica Saviq dhe Ismet Shabani, të cilët akuzohen për shpërdorim të pozitës zyrtare apo autorizimit, si dhe ndaj Baki Alimit i akuzuar për veprën penale tregti e ndaluar. Në këtë seancë kanë dëshmuar  dëshmitarët Muhamet Klaiqi, Amir Ibrahimi, ndërsa mungoi përfaqësuesi i Doganave të Kosovës si dhe  dëshmitari Sead Xhelili.

Dëshmitari Muhamet Klaiqi, zyrtar policor në dëshminë e tij, tha se lidhur me veprimet hetimore  sa i përket këtij rasti ishte intervistuar e dyshuara  Radica Saviq, për arsye të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, këtë veprim e kanë ndërmar se nuk ishte përputhur dokumentacioni Unik Doganor DUD-at me atë të zyrave të  shpedicionit lidhur me produktin “Foxin”, i cili kishte hyrë në Kosovë, ku gjatë asaj kohe produkti ka qenë i ndaluar të shitet në Kosovë. Dëshmitari tha se doganiere atë ditë kishte qenë Radica Saviq. Dëshmitari tha se në vendin e ngjarjes kishin qenë dy mauna, ndërsa në dokumentin unik doganor ishin regjistruar 5860 kilogram, ndërsa  gjatë kontrollimit të dokumentacionit kanë dalur shifra 50.000 kilogram, këtë e ka cekur edhe në raportin zyrtar të policisë. Ai tha se dokumentacioni Unik Doganor DUD-at, dallon nga ajo që është gjetur në dogana me atë të shpedicionit. Dëshmitari tha se në depon e Baki Alimit ishini gjetur këto produkte.

Ndërsa në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarës Radica Saviq, avokati Kadri Syla, dëshmitari tha ndryshimin në dokumetin Unik Doganor ka mund ta bëjë hartuesi-shpediteri, ndërsa krahasimin është dashur ta bëjë doganieri.

Në vazhdim të shqyrtimit gjyqësor, ka dëshmuar Amir Ibrahimi, i cili tha se më 12 mars 2011, Sead Xhelili i kishte ndihmuar vetëm në bartjen e dokumentacionit ,ndërsa lëndën e kishte punuar Seadi, ndërsa në zyre kishte qenë edhe praktikanti  Imran Destani. Dëshmitari tha se dokumentin e plotësuar e kishte  dërguar në sportelin e doganës, e kishte dërguar edhe te inspektori fitosanitar, ndërsa tha se nuk ka njohuri lidhur me ndryshimin sa i përket sasisë në dokument.

Sipas aktakuzës, Radica Saviq akuzohet se më 7, 8 dhe 13 mars 2011, në kohë të pacaktuar  në pikën doganore “Dheu i Bardhë” e ka keqpërdor pozitën zyrtare, ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka vërtetuar dokumentacione Unik Doganor DUD-at, ku nuk janë përputhur të dhënat me të dhënat bruto sasiore në vendimet fito-sanitare, ashtu që në dokumentin Unik  Doganor DUD ka qenë e shënuar pesha totale  prej 5860 kilogram për pesticide “Foxin”, ndërsa në vendimin fito-sanitar pesha është shtuar 18000 kilogram dhe me këtë i është mundësuar një fitim i kunërligjshëm pasuror në shumën prej 9551euro të akuzuarit Baki Alimi.

I akuzuari Ismet Shabani më 7, 8 dhe 13 mars 2011në kohë të pa caktuar në pikën doganore “Dheu i Bardhë”  ka shpërdorur pozitën zyrtare, në atë mënyrë që ka lëshuar vendime fito-sanitare për artikullin pesticide, pa definuar llojin e pesticideve, pasi disa lloje janë të ndaluara në listën e produkteve për mbrojtjen e bimëve, duke i mundësuar të akuzuarit Baki Alimi që në emër të këtyre vendimeve t’i vë në lajthim organet doganore, duke importuar presticide të llojit Galation dhe Foxin.

Baki Alimi akuzohet se gjatë vitit 2011, në ndërrmarjen e tij ka shitur  NTP Redimenti pa autorizim ka shitur dhe ka blerë mallë, qarkullimi i të cilave është i ndaluar, ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka futur në qarkullim pesticide të llojit “Glation dhe Foxin” në peshë prej 23860 kilogram, të cilat produkte janë të ndaluar për Kosovë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë