VAZHDON GJYKIMI I TRE TË AKUZUARËVE PËR TRAFIKIM ME QENIE NJERËZORE, SHPËRLARJE PARASH DHE MUNDËSIM PROSTITUCIONI

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Të premten në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për rreth katër orë është zhvilluar gjykimi ndaj Agron Alaj, Ilir Rexhepit dhe Avni Xheladinit të cilët akuzohen se kanë kryer veprat penale  “trafikim me qenie njerëzore, shpërlarje parash dhe mundësimi i prostitucionit”. Gjatë zhvillimit  të seancës, është bërë dëgjimi i ekspertit financiar, Vehbi Ymeri, si dhe dëgjimi i dëshmitarit Muhamet Beqiri- punëtorë në agjencionin e shpediocionit “Albini”, me seli në Ferizaj.

Seanca ka vazhduar me prezantimin e provave materiale, dëgjimin e ekspertit financiar të caktuar nga ana e gjykatës me kërkesën e palëve, dhe dëgjimin e dëshmitarit të caktuar nga ana e mbrojtësit të të akuzuarit Avni Xheladini, avokati Ilmi Qorri. Tutje u vijua me elaborimin e ekspertizës nga ana e ekspertit, i cili gjithashtu u përgjigj në pyetjet e parashtruara nga ana e prokurorit të EULEX-it, Toumas Oja.

Eksperti financiar Vehbi Ymeri, tha se ekspertizën e ka përpiluar sipas kërkesës nga ana e gjykatës dhe në bazë të saj ka arritur të gjejë se nga llogaritë personale të të akuzuarve Agron Alaj dhe Avni Xheladinit janë deponuar dhe tërhequr mjete financiare në shuma të larta, shuma këto që arrinin vlerën deri në 20.000 euro, të cilat ishin deponuar dhe tërhequr për disa herë gjatë periudhës kohore 2012-2013, dhe atë si borxhe ose si hua.

Ai me tutje deklaron se sa i përket çështjes së verifikimit të raporteve apo relacioneve në mes personave të akuzuar se a kanë pasur apo nuk kanë pasur borxhe apo kanë dhënë hua nuk ka mundur t’a caktoj sepse sipas tij në Kosovë mundësia kthimit të borxheve në mes personave mund të bëhet në periudha të gjata kohore. Eksperti Ymeri tha se duke u bazuar në dokumentet e lëndës që i ka dhe sipas kërkesës së gjykatës për t’a kryer ekspertizën në të gjitha llogaritë bankare ku personat në fjalë kanë qenë pronar apo të autorizuar për deponime, transfere, tërheqje janë të përfshira në ekspertizë.

Ndërsa lidhur me mjetet e tërhequra dhe të deponuara nga llogaritë e të akuzuarve , eksperti deklaron se nuk është gjetur burimi i këtyre të hollave nga llogaria paraprake. Sa i përket çështjes se a ka pasur deponime kesh në llogarinë personale të Avni Xheladint ai deklaron “se vlera prej 10.000 euro nuk qëndron sepse në këtë rast kemi të bëjmë me tërheqje të mjeteve nga llogaria, që do të thotë se nuk janë deponime, por janë marrë para nga llogaria bankare”.

Eksperti vazhdimisht është sfiduar nga prokurori, i cili kërkonte sqarime sa më të hollësishme të pasqyrave të llogarive bankare të Agron Alajt dhe Avni Xheladinit, sepse disa herë eksperti mundohej t’i shmangej pytetjeve të parashtruara nga ai, dhe nuk i ofronte përgjigjie konkrete lidhur me to.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Agron Alaj, avokatit Tahir Rrecaj, drejtuar ekspertit se a ka qenë në vendin e ngjarjes dhe a e ka vizituar objektin , përkatësisht villën që gjendet në Kruqishtë, i cili objekt sipas pretendimit të prokurorit është shfrytëzuar me qëllim të mundësimit të prostitucionit, eksperti tha se ”po t’a kishte vizituar dhe t’a kishte parë vendin e ngjarjes sigurisht që pjesën gjenerale të përshkrimit do ta bënte dhe do të jepte specifika shtesë “, dhe shtoj se lidhur me objektin dhe vlerën e caktuar nga ai për ndërtimin e objektit, shënimet gjenden në ekspertizë.

Pas dëgjimit të ekspertit financiar,  seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Muhamet Beqiri, për të cilin fillimisht u konstatua se nuk ishte prezent, mirëpo pas masava të marra nga ana a e trupit gjykues për sigurimin e tij, ai u sigurua në gjykim, edhe pse u deshtë të pritej rreth 25 minuta deri sa i njëjti erdhi.

Dëshmitari Muhamet Beqiri tha se asnjë nga të akuzuarit nuk i njeh me emër, mirëpo pasi që u kërkua nga trupi gjykues që t’i shikoj dhe të vërtëtohet se a i njeh si persona që i ka parë ndonjëherë ai deklaroi se të akuzuarin Avni Xheladini e njeh si figurë, mirëpo nuk e di se në emër të tij kishte bërë ndonjeherë doganimin e automjeteve, ndërsa për të akuzuarin Agron Alaj deklaron se e di që i ka doganuar automjete atij , dhe i kujtohet se të njëjtit ia ka doganuar mbi 3 vetura, por që nuk i kujtohet koha kur i ka bërë ato.

Shqyrtimi i së premtës, ka përfunduar ndërsa trupi gjykues seancën e rradhës e ka caktuar të hënën, më datë 29 shkurt 2016, në ora 09.00, ku do të vazhdohet me dëgjimin e të pandehurëve Agron Alaj dhe Ilir Rexhepi.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë