Vazhdon gjykimi i protagonistit të dallavereve me patentë shoferë

Erlina TAFA

Ferizaj, 8 shkurt 2016 – Të hënën në Gjykatën Themelore në Ferizaj ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj protagonistëve të dallavereve të patent shoferëve. Kjo seancë ishte paraparë të mbahej në orën 10:00, por është shtyrë për orën 14:00 me qëllim që të sigurohej dëshmitari Nazmi Tusholli.

Në këtë rast, ishte ngritur propozimakuzë në vitin 2012, me të cilën ngarkohej i akuzuari Agron Salihun për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, ndërsa dy të akuzuarit tjerë Bashkim Islami dhe Ramadan Paçarizi ngarkoheshin për veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose i autorizimit. Ndaj këtyre dy të akuzuarve të fundit, është vjetërsuar lënda për shkak të arritjes së afatit të parashkrimit absolut të ndjekjes penale qysh në vitin 2013 dhe për këtë arsye dhe gjykata ka pushuar procedurat gjyqësore ndaj tyre.

Sipas prokurorisë, i akuzuari Agron Salihu gjatë periudhës mars-korrik 2011 kishte pranuar oferta që silleshin prej 50-650 euro për të ushtruar ndikim tek Bashkim Islami dhe Ramadan Paçarizi, të cilët aso kohe punonin si ekzaminerë në Ministrinë e Infrastrukturës në Departamentin e Automjeteve në Ferizaj, që t’u ndihmonin kandidatëve të caktuar për të kaluar provimin për patent shofer. Prokuroria pretendonte se ish të akuzuarit Islami dhe Paçarizi, kishin shpërdoruar pozitën e tyre dh kishin përfituar të holla, duke iu mundësuar kandidatëve të ndryshëm që të kalonin testin apo duke ndihmuar plotësimin e tij.

Në seancën e së hënës, dëshmitari Nazmi Tusholli, kishte kundërthënie gjatë dëshmisë së tij. Ai është sfiduar nga pyetjet e prokurorit Rasim Maloku, i cili e ka ballafaquar dëshminë e tij me deklaratën që ai kishte dhënë në polici.

Tusholli tha se gjatë periudhës kur dyshohet se janë kryer veprat penale, ishte regjistruar në auto-shkollën “Arti” për tu pajisur me patent të shoferit. Gjatë këtij procesi, ai tha se kishte dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm dhe se kishte paguar vetëm 5 euro, megjithatë ai theksoi se nuk kishte filluar me trajnimin, as për pjesën teorike e as praktike. Për më tepër, Tusholli mohoi të kishte hyrë në provimin për leje të vozitjes.

Ndërkaq, në deklaratën që kishte dhënë në polici, ai kishte thënë se “kishte pasur më shumë orë teorike dhe 3-4 orë praktike lidhur me testin e patent shoferit”. Për më tepër në polici kishte deklaruar se kishte hyrë në këtë test duke arritur 86 pikë.

Kur u pyet nga trupi gjykues se cili version është i saktë, versioni para trupit gjykues apo ai i dhënë në polici, Tusholli tha “nuk i kujtohet t’i ketë thënë këto gjëra”. Megjithatë, dëshmitari tha se në asnjë moment policia nuk kishte interferuar në përgjigjet e tij dhe konfirmoi se nënshkrimi në fund të deklaratës ishte i tij. Dëshmitari Tusholli mohoi t’i kishte paguar para auto-shkollës ku ishte regjistruar për patent shofer.

Tutje, trupi gjykues, ka vazhduar me leximin e provave, ndër të cilat ishin dhe deklaratat e dhëna në polici të pesë dëshmitarëve, të cilët tash për tash gjenden jashtë territorit të Republikës së Kosovës, dhe sigurimi fizik i tyre është i pamundur. Në deklaratën e njërit prej dëshmitarëve të policisë, theksohej se i njëjti i kishte dhënë 650 euro të akuzuarit Agron Salihu me qëllim që i njëjti t’ia kalojë testin me shkrim për patent shofer. Kjo deklaratë u kundërshtua nga i akuzuari Salihu.

Me kaq ka mbaruar seanca e së hënës, ndërsa për seancën e ardhshme të caktuar më 18 shkurt 2016, prokurori Rasim Maloku, ka njoftuar se do të specifikohen transkriptat e telefonatave dhe sms-ve nga telefoni i të akuzuarit Salihu.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë