VAZHDON GJYKIMI PËR KORRUPSION NDAJ ISH-PROKURORES VAHIDE BADIVUKU

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë – Të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ish-prokurorja Vahide Badivuku ka vazhduar të përballet me akuzat për keqpërdorim të ngritura nga prokurori special Admir Shala. Badivuku akuzohet për marrje të ryshfeti dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare së bashku me Idriz Kelmendin dhe Isak Smakollin, të cilët akuzohen për ushtrim të ndikimit.

Gjykatësi i kësaj çështje penale Kreshnik Radoniqi ka hapur shqyrtimin gjyqësor lidhur me propozimet e mbrojtjes së të akuzuarës Vahide Badivuku, ku ndër të tjera janë propozuar në cilësinë e dëshmitarëve Melih Ozandiq dhe Kaltrina Elshani. Prokurori Admir Shala, tha se thirrja e këtyre dy dëshmitarëve të propozuar nga mbrojtja, nuk do të vërteton asnjë fakt dhe i ka propozuar gjykatës që të njëjtit të refuzohen për të dëshmuar.

Tutje, gjatë të leximit të provave materiale nga ana e trupit gjykues, mbrojtësi i të akuzuarës Vahide Badivuku, avokati Ramë Dreshaj dhe mbrojtësi i të akuzuarit Idriz Kelmendi, avokati Besnik  Berisha kanë paraqitur vërejtjet lidhur me leximin e provave për fotokopjet e bankënotave,të cilat janë fotokopjuar dhe janë listuar me vërtetim mbi konfiskimin e përkohshëm, por të njëjtat nuk janë precizuar edhe në shkresa të lëndës, por figurojnë si bankënota me numra tjerë serik.

Ndërsa lidhur me leximin  e raportit informues për bastisjen e personave dhe lokaleve, avokati Dreshaj tha  se në kohën kur është bërë bastisja e të akuzuarës Vahide Badivuku nuk ka pasur dëshmitarë dhe është bërë jashtë orës së paraparë me Kod të Procedurës Penale të Kosvës.

Seanca e së martës, është ndërprerë, ndërsa trupi gjykues ka caktuar seancën e radhës më 7 mars 2016, prej orës 09:30.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori special, Admir Shala, Vahide Badivuku akuzohet se ka kryer veprat penale të marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, e cila në mënyrë të tërthortë kishte kërkuar dhe pranuar dhuratë për vete, në mënyrë që të veprojë në kundërshtim me detyrën zyrtare, në bashkëpunim me të akuzuarin Idriz Kelmendi, duke vepruar si prokurore në rastin penal kundër të pandehurve Esan, Hasan, Arton dhe Dritan Hasani, në shkëmbim të lirimit nga masa e paraburgimit të të pandehurve Esan dhe Dritan Hasani, kishte kërkuar dhe kishte marr nga familja Hasani shumën e të hollave prej 10.000 eurove, përmes të akuzuarit Idriz Kelmendi.

E akuzuara Badivuku gjithashtu në kundërshtim me Kodin  e Procedurës Penale kishte përpiluar kërkesën për kthimin e sendeve të sekuestruara , në shumën prej 22.000 euro, e cila shumë kishte kaluar në duart e Isak Smakollit dhe më pas tek i pandehuri Idriz Kelmendi, ku ky i fundit ia kishte dorëzuar të pandehurës Vahide Badivuku.

Idriz Kelmendi dhe Isak Smakolli akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ushtrim i ndikimit,të cilët në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë kanë pranuar dhuratë për vete dhe për personin tjetër dhe në këtë mënyrë kanë ushtruar ndikim mbi vendimmarrjen e prokurores, tani të akuzuarën Vahide Badivuku, në çështjen penale të cilën e kishte udhëhequr ajo.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë