VAZHDON DËSHMINË DREJTORI I “BESA SECURITY” NË RASTIN KEK 2

Raporton: Erlina TAFA

Prishtinë – Dëshmitari Granit Hasani, Drejtor i Kompanisë “Besa Security” ka vazhduar me dhënien e dëshmisë në seancën e mbajtur të enjtën në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin e njohur si “KEK 2”.

Ky proces gjyqësor, zhvillohet sipas aktakuzës së prokurorit të EULEX-it, e cila e ngarkon Kryetarin e Skënderajt, Sami Lushtaku bashkë me drejtorin e KEK-ut, Arben Gjukaj, si dhe pesë të tjerët lidhur me tenderit të KEK-ut, të cilët akuzohen për tenderin gjashtë milionësh për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut. Kreu i Skënderajt, akuzohet për veprën penale shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit, Arben Gjukaj e Hysni Hoxha për veprën penale keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku për veprat penale të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve në bashkëkryerje, Driton Pruthi për veprat penale keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit dhe lidhja e kontratës së dëmshme dhe Azem Duraku për veprën penale shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit.

Dëshmitari, Granit Hasani është pyetur rreth njoftimit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për eleminimin e ofertuesit në këtë rast, eleminimin e “Besa Security”. Hasani ka deklaruar që gjatë procesit të tenderimit, kur kjo kompani ka ofertuar në KEK, licencën e kërkuar e ka dorëzuar vetëm në dosjen kopje dhe jo në dosjen origjinale. Ai shtoi që në dosjen origjinale kjo kompani kishte futur aksidentalisht licencën me afat të skaduar.

Në pyetjen e avokatit Tmava se a ishte bërë vlerësimi i tenderëve nëpërmjet të nën kritereve në mënyrë uniforme për të dy ofertuesit, Besa Security dhe Security Code, dëshmitari tha se nuk pajtohet se nën kriteri 2 ishte vlerësuar në mënyrë  të drejtë, sepse sipas tij nuk ishte bërë sipas udhëzimeve dhe përshkrimeve në aneksin 6.

“Nga tabelat shihet qartë se askush s’ka arrit të marr 100% të pikëve, por ne nuk jemi trajtuar 100% në bazë të kritereve ashtu si është trajtuar Security Code”, tha Hasani.

Dëshmitari pohoi se kishin kërkuar qasje në tender dosjen e Security Code dhe kjo mundësi i ishte ofruar Besa Security-t për të parë të gjitha dokumentet përveç atyre të klasifikuarat. Avokati pyeti dëshmitarin mbi faktin se pse Besa Security nuk e kishte ngritur si çështje konfidencialitetin e dokumenteve. Për këtë Hasani tha se nuk e mban mend se pse një gjë e tillë nuk është evidentuar kur sipas tij kjo çështje është trajtuar thelbësisht dhe në asnjë moment nuk kanë qenë dakord me konfidencialitetin.

Ai më pas deklaroi lidhur me trajnimet e stafit që Besa Security ka mbajtur në periudha të ndryshme nga personat e ndryshëm të kontaktuar nga menaxhmenti i kompanisë sepse në atë kohë ligji nuk i ka përcaktuar institucionet, trajnuesit e specializuar me të drejtë trajnimi të posaçëm siç është sot.

Pas avokatit Tmava, vijoi me pyetje avokati Ramë Gashi i cili e pyeti dëshmitarin se a ishte njoftuar dëshmitari lidhur me ofertën më të lartë dhe më të ulët të paraqitura nga Security Code. Ai pohoi një gjë të tillë, megjithatë tha se me rastin e hapjes së ofertave publike oferta e Besa Security nuk ka qenë më e pavolitshme nga tjerët.

Avokati Bibaj, mbrojtës i Hysni Hoxhës pyeti dëshmitarin cili ka qenë qëllimi i Besa Security në momentin kur kishin organizuar një konferencë për media për t’i informuar njerëzit për vendimin e OSHP-së lidhur me ankesën e parashtruar nga kompania.

“Ka qenë një vendim i menaxhmentit që të bëhet një thirrje deri tek vendimmarrësit që mos të lejojnë ekzekutimin e kontratës mes KEK-ut dhe Security Code”, deklaroi Hasani.

Përgjatë seancës Trupi Gjykues i dha vërejtje avokatit Arianit Kocit, mbrojtës të Sami Lushtakut se ai i kishte lejuar qasje Lushtakut në celularin e vet. Sipas Trupit Gjykues një person që është në paraburgim nuk mund të ketë një privilegj të tillë. Ndërkaq, avokati Koci tha se vetëm i ka treguar disa dokumente në telefon dhe në asnjë mënyrë nuk ka pasur qëllim që të bëjë diçka që bie në kundërshtim me dispozitat procedurale.

Përfundimisht, dëshmitari i pyet edhe nga avokati Armend Krasniqi, mbrojtës i Azem Durakut. Sipas avokatit Krasniqi, dëshmitari kishte kontaktuar në rrugë jozyrtare klientin e tij Duraku në lidhje me tenderin kontestues, pohim ky i cili u kundërshtua nga vetë dëshmitari Hasani i cili tha se avokati është duke i ngatërruar dy tenderë të periudhave të ndryshme, njëri i vitit 2011 dhe tjetri i vitit 2014.

Avokati Krasniqi nuk arriti t’i shpalosë të gjitha pyetjet ngase përfundoi orari i punës së gjykatës, andaj vazhdimin e pyetjeve të veta do të ketë mundësi ta parashtrojë më 21 Mars.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë