Vazhdon ballafaqimi me dëshmitarët për akuzat me dallavere të pronave

Raporton: Valdet HAJDINI

Lipjan, 12 shkurt 2016 – Në Degën e Lipjanit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të premten, është mbajtur seanca gjyqësore, ndaj të akuzuarit për mashtrim Rasim Llugiqi. Gjatë kësaj seance kanë dëshmuar dëshmitarët Smiljana Markoviq dhe Millka Simianoviq. Kjo e fundit, si dëshmitare kyçe në këtë gjykim, vazhdoi dëshminë e saj, në të cilën u përgjigj në shumë pyetje të prokurores së shtetit, përfaqësuesve të palës së dëmtuar dhe avokatit mborjtës të akuzuarit.

Në pyetjet e prokurores, Fatmire Cacaj, rreth përgaditjes së kontratës së shitblerjes dhe nënshkrimit të saj në gjykatë, dëshmitarja u përgjigj se “më 12 maj 2009 kontratën e ka pregaditur avokati i angazhuar nga Rasimi, i ka kryer të gjitha punët juridike në mënyrë profesionale, ndërsa unë e kam nënshkruar atë pa e lexuar fare dhe pa e shikuar çmimin e vënë për pagesën e pronës. Këtë e kam bërë me qëllimin e vetëm që të largohem sa më parë nga gjykata, sepse jeta ime ishte në rrezik nga uzurpatori i pronës, të cilët na përcjellnin dhe kishin armë me vete”. Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurores për pagesat e bëra nga Rasimi në emër të blerjes së pronës, dëshmitarja përgjigjet: “Rasimi më ka thënë se ka tri llogari bankare dhe pagesën duhet ta kryej pjesë-pjesë, sepse është shumë e lartë dhe nuk mund të tërheqë gjithë ato para njëherë”. Tutje ajo tha se kur kanë shkuar tek banka, ajo kishte qëndruar tek dera e bankës, Rasimi kishte hyrë brenda për t’i kryer transaksionet, ndërsa asaj ia kishte sjellur vetëm dëftesat për t’i nënshkruar dhe atë dy herë nga 59.000,00 euro, të cilat dëshmitarja tha se kishte menduar se do të mbeteshin në llogarinë e saj. “Rrugës, pasi i kemi kryer pagesat, Rasimi më ka thënë se më kishte mashtruar për shumën e pronës, duke më thënë se e gjithë prona nuk kushton më shumë se 30.000,00 euro, aq sa mi kishte lënë në llogari dhe mu kërcënua duke më bërtitur, sharë dhe kërcënuar se edhe mund të më vras”, tha dëshmitarja Simianoviq.

Në pyetjen e përfaqësuesit të autorizuar të të dëmtuarës Vesna Simijanoviq, avokatit Xhafer Maliqi, se a i kishte tërhequr nga banka në Shtime 45.000,00 euro, dëshmitarja Millka Simianoviq, tha se në bankë kanë shkuar rreth orës 11.00, por që ajo vetëm kishte nënshkruar dëftesa bankare, pa tërhequr asnjë cent. Duke u përgjigjur në një pyetje tjetër, për kthimin e shumës prej 45.000,00 eurove, me përshkrimin për blerjen e një veture, dëshmitarja th se ajo vetëm kishte nënshkruar dëftesat të cilat ia kishte sjellur Rasimi, duke menduar se parat do të mbeteshin në llogarinë e saj, por asnjëherë nuk kishte blerë veturë nga ai”.

Në pyetjen e përfaqësuesit të autorizuar të të dëmtuarit Millorad Simianoviq, avokatit  Zharko Gajiq, se ku kishte qëndruar kjo, kur ishte kryer transferi i parave me përshkrimin për blerjen e veturës nga i akuzuari Rasim, dëshmitarja tha se ajo nuk kishte hyrë në bankë, por kishte qëndruar në veturë, ku Rasimi i kishte sjellur dëftesat për t’i nënshkruar.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Fehmi Shala, ka sfiduar dëshmitaren me pyetje rreth sitatave të ndryshme, ku ishin kryer transferet e parave. Avokati Shala e ka pyetur dëshmitaren se si është e mundur që rastin e kërcënimit të Rasimit se do ta vras, nuk e kishte përmendur asnjëherë gjatë gjykimit të parë, dëshmitarja tha se nuk e kishte përmendur këtë rast sepse askush nuk e kishte pyetur për një gjë të tillë. Avokati Shala e pyeti dëshmitaren edhe për kërcënimet e vazhdueshme që i kishte pasur në atë kohë nga vëllezërit Bytyqi dhe pse nuk i kishte përmendur ato në gjykimin e parë. Për këtë dëshmitarja tha se nuk i kishte përmendur kërcënimet dhe rrezikshmërinë që kishin paraqitur vëllezërit Bytyqi, për faktin se askush nuk e kishte pyetur dhe nuk se nuk ka pasur mundësi si ti përmend. Në një pyetje tjetër të avokatit Shala për mënyrën e pagesës së gjithë shumës së parave për shit-blerjen e pronës, dëshmitarja tha se nuk kishin pasur asnjë marrëveshje verbale apo të shkruar.

Në vazhdim të shqyrtimit gjyqësor, ka dëshmuar Smiljana Markoviq, e cila para gjyqtarit deklaroj se mbetet pranë dëshmisë së dhënë në gjykimin e parë.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Fehmi Shala, rreth njoftimit të tyre me Rasimin dhe ofertës për blerjen e pronës në Lipjan, dëshmitarja tha se “në fund të muajit prill 2009, te ordinanca ku punonte Millka, kishte ardhur Rasimi dhe Bajrami, të cilëve Millka u kishte thënë se kishte një pronë për të shitur dhe u kishte që t’ia gjenin një blerës, për shumën prej 30.000,00 eurove”. Tutje ajo shtoi se “pas lidhjes së kontratës së shitblerjes, Millka i kishte folur për shitjen e një banesë në Prishtinë, të cilën e kishte shitur kunati i saj (Sllavisha) dhe për të cilën ajo dhe bashkëshorti i saj nuk kishin marr asnjë cent”. Dëshmitarja, gjithashtu shtoi se Millka i kishte thënë se familjarëve do tu thoshte se prona ishte shitur për vetëm 30.000,00 euro, ndërsa me pjesën tjetër do t’i depononte në një bankë në Beograd dhe do tu blente banesa fëmijëve të saj. Në një pyetje tjetër të avokatit Shala, për kërcënimet e mundshme, dëshmitarja tha se as ne, por as Rasimi nuk kishin qenë të kërcënuar apo rrezikuar nga askush.

Seanca e së premtes, u ndërpre pa e përfunduar dëshminë e saj Smiljana Markoviq, e cila dhënien e dëshmisë do ta vazhdojë në seancën e së ardhshme më 26 shkurt 2016, në ora 9:30.

Ky proces gjyqësor është në rigjykim dhe zhvillohet në bazë të aktakuzës së ngritur nga ish-Prokuroria Komunale në Prishtinë, me të cilën i akuzuari Rasim Llugiqi ngarkohet me veprën penale të mashtrimit.

Sipas pretendimit të prokurorisë, i akuzuari Rasim Llugiqi, më 12 .maj 2009, në Gjykatën Komunale në Lipjan, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore, e kishte sjellë në lajthim dhe e kishte shtyrë të veproi në dëm të pasurisë së saj të dëmtuarën Millka Simianoviq. Kjo kishte ndodhur në atë mënyrë që me rastin e përpilimit të kontratës së shitblerjes për 15.56 ari, ishte paraqitur shuma prej 180.000.00 eurove, me arsyetimin të tatimit më të ulët, ndërsa paraprakisht ishin marrë vesh që vlera e shitblerjes të ishte 460.000.00 euro.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë