VAZHDON BALLAFAQIMI I DËSHMIVE PËR DALLAVERET ME PRONA NË LIPJAN

Raporton: Valdet HAJDINI

Lipjan – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Degën e Lipjanit, të premten, para gjykatësit Shashivar Hoti për më shumë se katër orë ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor, për dallaveret me prona në Lipjan. Në këtë seancë ka dëshmuar eksperti financiar Shaban Bahtiri, ish-avokati Isa Gashi, si dhe ka ri-dëshmuar dëshmitarja Vesna Smiljanoviq, e cila kishte dhënë dëshminë e vet edhe në një nga seancat e kaluara.

Në pyetjen e përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar, avokatit Naser Gashi, se në çfarë dokumente është mbështetur eksperti gjatë hartimit të ekspertizës, eksperti financiar tha se qëndron në tërësi pranë ekspertizës së hartuar në korrik 2012, ndërsa tha se gjatë hartimit është bazuar në dokumente zyrtare të ofruara nga Raiffeisen Bank dhe firma ku ka punuar i akuzuari në Zvicërr. Në pyetjen tjetër të përfaqësuesit të autorizuar, për sqarime se çfarë ka dashur të thotë eksperti në ekspertizë se transferet dhe tërheqjet e parave janë bërë me skenario dhe në mënyrë jo të drejtë, eksperti tha se është e pakuptimt se si i akuzuari e transferon një shumë të parave në llogari të shitëses së pronës, ndërsa pas disa orësh të njejtat para kthehen përsëri në llogari të të akuzuarit. Tutje, eksperti tha se çdo klient i bankës ka të drejtë të disponoi me mjetet e veta në bank si të dëshiron ai, ndërsa transferimi dhe kthimi i mjeteve në llogari nuk parqet shkelje të dispozitave ligjore.

Në pyetjen e prokurores, Fatmire Cacaj, se kush mund t’i nënshkruaj dëftesat e transfereve bankare, eksperti tha se dëftesat e transfereve mund t’i nënshkruaj vetëm pronari i llogarisë bankare dhe asnjë person tjetër.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Fehmi Shala e sfidoi ekspertin me pyetjen nëse e din se qëllimi i kujt ka qenë të përfitojë dy herë para nga ky rast, ndërsa eksperti tha se në bazë të kontratës pagesat është dashur t’i bëjë blerësi, por është e pakuptimt fakti se parat janë transferuar sërish në llogari të tij nga shitësja. Në pyetjen tjetër të avokatit mbrojtës, rreth transferimit të shumës prej 25.000,00 euro nga shitësja në llogari të blerësit Rasim Llugiqi, eksperti tha se ato para janë transferuar me përshkrimin për blerje të veturës dhe në këtë rast transferi është i ligjshëm, për faktin se gjatë kryerjes së transferit bankar nuk ka mundësi teknike që të prezentoi edhe ndonjë person tjetër.

Në vazhdim të shqyrtimit gjyqësor ftohet ish-avokati Isa Gashi, i cili kishte përpiluar kontratën e shit-blerjes së pronës.

Në pyetjen e avokatit mbrojtës, Fehmi Shala, nëse ka qenë ky avokati që e ka përpiluar kontratën e shitblerjes, dëshmitari tha se i kujtohej që ka qenë ky avokati që e ka përpiluar kontratën e shitblerjes së pronës që është në kontest gjyqësor. Në pyetjen tjetër të avokatit mbrojtës se kush i ka caktuar elementet e kontratës, dëshmitari tha se palët i kanë caktuar të gjitha elementet e kontratës, duke përfshirë edhe çmimin e vlerës së pronës. Tutje dëshmitari tha se gjatë përpilimit të kontratës nuk ka vërejtur asnjë shqetësim tek shitësja, por vetëm biseda miqësore mes shitëses dhe blerësit të pronës.

Në pyetjen e prokurores, Fatmire Cacaj, nëse kopje të kontratës së shitblerjes i kishte dhënë të dyja palëve, dshmitari tha se nuk i kujtohet sa kopje ua kishte dhënë, por është e vërtet që u kishte dhënë kopje të mjaftueshme për të gjithë, ndërsa tha se nuk kishte shkuar në gjykatë për vërtetimin e kontratës.

Seanca e ardhshme për këtë rast u caktua për datë 22 mars 2016, me fillim në ora 9:30.

Ky proces gjyqësor është në rigjykim dhe zhvillohet në bazë të aktakuzës së ngritur nga ish-Prokuroria Komunale në Prishtinë, me të cilën i akuzuari Rasim Llugiqi ngarkohet me veprën penale të mashtrimit.

Sipas pretendimit të prokurorisë, i akuzuari Rasim Llugiqi, më 12 .maj 2009, në Gjykatën Komunale në Lipjan, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore, e kishte sjellë në lajthim dhe e kishte shtyrë të veproi në dëm të pasurisë së saj të dëmtuarën Millka Simianoviq. Kjo kishte ndodhur në atë mënyrë që me rastin e përpilimit të kontratës së shitblerjes për 15.56 ari, ishte paraqitur shuma prej 180.000.00 eurove, me arsyetimin të tatimit më të ulët, ndërsa paraprakisht ishin marrë vesh që vlera e shitblerjes të ishte 460.000,00 euro.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë