Vazhdon ballafaqimi i dëshmive për akuzat me dallavere të pronave

Raporton: Valdet HAJDINI

Lipjan, 11 shkurt 2016 – Në Degën e Lipjanit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të enjten, është mbajtur seanca gjyqësore, ndaj të akuzuarit për mashtrim Rasim Llugiqi. Gjatë kësaj seance kanë dëshmuar të dëmtuarit Vesna Simianoviq, Millka Simianoviq dhe Millorad Simianoviq. Ky i fundit, në dëshminë e tij, tha se ai dhe vëllau i tij, tanimë i ndjerë, kishin pasur patundshmëri në Kosovë, për të cilën e kishin autorizuar bashkëshorten e tij Millka Simianoviq, për shit-blerjen e pronës familjare në Lipjan, në shumën prej 30.000 euro arin.

Në pyetjet e prokurores, Fatmire Cacaj, rreth kohës dhe mënyrës së shitblerjes së pronës, i dëmtuari u përgjigj se “më 29 prill 2009, bashkëshortja e kishte thirr atë në telefon dhe i kishte konfirmuar se ishte gjendur një blerës, por që i njëjti do të kthehej shumë shpejt në Zvicërr dhe shitblerja duhej të kryhej shumë shpejt”. Tutje ai tha se më 12 maj 2009, ishte nënshkruar kontrata për shitblerjen e pronës, për të cilën ai dhe vëllai i tij ishin njoftuar pas dy ditësh, me arsyetimin se kontrata duhej të nënshkruhej me nguti, pasiqë kishte kërcënime nga vëllezërit Bytyqi. Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurores për shumën e kontratës, dëshmitari përgjigjet: “Në kontratën për shtiblerjen e pronës së familjes në Lipjan figuron shuma 180.000.00 euro, ndërsa vlera reale e saj ishte 466.000.00 euro, shumë e cila do të paguhej në kesh, me qëllim të ikjes së pagesës së tatimit”, tha dëshmitari Simianoviq.

Në pyetjen e përfaqësuesit të autorizuar Zharko Gajiq, se kur ishte lidhur kontrate dhe kur kishte kuptuar për një gjë të tillë, i dëmtuari përgjigjet: “Më 12 maj 2009 është lidhur kontrata e shitblerjes, ndërsa unë jam vënë në dijeni për të, vetëm kur jam takuar me bashkëshorten në pikën kufitare në Merdare, kur edhe na ka treguar se është mashtruar dhe se blerësi nuk i ka paguar të gjitha parat”.

Në pyetjen e përfaqësuesit të autorizuar Xhafer Maliqi, se a e kishte paraqitur këtë rast në organet e rendit, dëshmitari Millorad Simianoviq, tha se vëllai i tij, tani i ndjerë, kishte paraqitur rastin e mashtrimit në policinë e Banjës në Nish, pastaj bashkëshortja e tij e kishte parqitur rastin në Policinë e Graqanicës dhe atë të Lipjanit.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Fehmi Shala, ka sfiduar dëshmitarin në lidhje me transferet bankare të 28.000 eurove. Avokati Shala e ka pyetur dëshmitarin se si është e mundur që paratë e transferuara nga i akuzuari Llugiqi në llogari të Millka Simianoviq të kthehen në llogari të Llugiqit me përshkrimin se ishte blerë një veturë. Në këtë pyetje, dëshmitari tha se ato para asnjëherë nuk ishin kthyer prapa në llogarinë e të akuzuarit, nga bashkëshortja e tij Millka, me përshkrimin e blerjes së një veture. Dëshmitari tha se edhe në tri raste tjera të transfereve të parave, të njejtat i transfere i kishte kryer vet Rasim Llugiqi dhe jo bashkëshortja e tij.

Në vazhdim të shqyrtimit gjyqësor, ka dëshmuar Vesna Simianoviq, e cila para gjyqtarit deklaroj se ishte në dijeni se familja e kishte pasur një pronë në Lipjan, në të cilën kishin jetuar deri në vitin 1999, ku edhe kishin pasur shtëpi.

Dëshmitarja Vesna, tha se bashkëshorti i saj i ndjerë, së bashku me kunatin e saj – Millorad Simianoviq, i kishin dhënë autorizim kunatës Millka, për shitblerjen e pronës së familjes në Lipjan. Ajo tha se më datën 7 maj 2009 ishin takuar në Merdare, ajo dhe bashkëshorti i saj, kunati (Millorad) dhe kunata ime (Millka), ku kanë diskutuar rreth çmimit të pronës dhe mënyrën e pagesës. Sa i përket çmimit të kontratës, Vesna tha se për çmimin prej 180.000.00 eurove, kishte kuptuar kur Milka e kishte sjellur kontratën në Merdare dhe kishte thënë se ishte mashtruar.

Pas saj, ka dëshmuar Millka Simianoviq, e cila tha se se të akuzuarin Rasim Llugiqi e kishte njohur nga viti 2009. Ndërsa kishte qenë pikërisht halla e saj, ajo e cila i kishte propozuar që pronën t’ia shiste tani të akuzuarit Rasim Llugiqi.

Seanca e së enjtës, ka përfunduar pa e përfunduar dëshminë e saj Millka Simianoviq, e cila dhënien e dëshmisë do ta vazhdojë në seancën e së premtës më 12 shkurt 2016, në ora 9:30.

Ky proces gjyqësor është në rigjykim dhe zhvillohet në bazë të aktakuzës së ngritur nga ish-Prokuroria Komunale në Prishtinë, me të cilën i akuzuari Rasim Llugiqi ngarkohet me veprën penale të mashtrimit.

Sipas pretendimit të prokurorisë, i akuzuari Rasim Llugiqi, më 12 .maj 2009, në Gjykatën Komunale në Lipjan, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore, e kishte sjellë në lajthim dhe e kishte shtyrë të veproi në dëm të pasurisë së saj të dëmtuarën Millka Simianoviq. Kjo kishte ndodhur në atë mënyrë që me rastin e përpilimit të kontratës së shitblerjes për 15.56 ari, ishte paraqitur shuma prej 180.000.00 eurove, me arsyetimin të tatimit më të ulët, ndërsa paraprakisht ishin marrë vesh që vlera e shitblerjes të ishte 460.000.00 euro.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë