VAHIDE BADIVUKU MOHON VEPRËN, I BASHKËAKUZUARI ISAK SMAKOLLI E PRANON VEPRËN

Raporton:Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë  – Ish-prokurorja Vahide Badivuku dhe Isak Smakolli rreth gjashtë orë janë marrë në pyetje nga trupi gjykues i përbërë prej kryetarit Kreshnik Radoniqi dhe dy anëtarëve Elmaz Zenuni dhe Valon Kurtaj. Seanca e së hënës e mbajtur në Gjykatën Themelore në  Prishtinë, është zhvilluar ndaj Badivukut dhe Smakollit, të cilët akuzohen për veprat penale “marrje e ryshfetit”, “keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “ushtrim i ndikimit”. Në këtë seancë Badivuku ka mohuar kryerjen e veprës penale, ndërsa i bashkëakuzuari Smakolli e ka pranuar atë para trupit gjykues.

Ky proces gjyqësor zhvillohet sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori special, Admir Shala, ku Vahide Badivuku akuzohet se ka kryer veprat penale të marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, e cila në mënyrë të tërthortë kishte kërkuar dhe pranuar dhuratë për vete, në mënyrë që të veprojë në kundërshtim me detyrën zyrtare, në bashkëpunim me të akuzuarin Idriz Kelmendi, duke vepruar si prokurore në rastin penal kundër të pandehurve Esan, Hasan, Arton dhe Dritan Hasani, në shkëmbim të lirimit nga masa e paraburgimit të të pandehurve Esan dhe Dritan Hasani, kishte kërkuar dhe kishte marr nga familja Hasani shumën e të hollave prej 10.000 eurove, përmes të akuzuarit Idriz Kelmendi.

E akuzuara Badivuku gjithashtu në kundërshtim me Kodin  e Procedurës Penale kishte përpiluar kërkesën për kthimin e sendeve të sekuestruara , në shumën prej 22.000 euro, e cila shumë kishte kaluar në duart e Isak Smakollit dhe më pas tek i pandehuri Idriz Kelmendi, ku ky i fundit ia kishte dorëzuar të pandehurës Vahide Badivuku.

Në seancën e së hënës, e akuzuara Badivuku tha se ishte takuar me kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shyqyri Syla, për ta marrë pëlqimin për kërkesën për aktvendim për pushimin e  masës së paraburgimit dhe sipas saj, ai i kishte thënë asaj se ata duhet të lirohen, ndërsa e akuzuara Badivuku tha se në atë rast i kishte thënë kryeprokurorit Syla se nuk pajtohet që të lirohen krejt, por që masa ndaj tyre të zëvendësohet me arrest shtëpiak. Badivuku tha se për këtë kishte bërë kërkesë për zëvendësimin e masës së arrestit shtëpiak, e cila iu kishte aprovuar nga gjykatësi i procedurës paraprake. Prokurorja e akuzuar tha se tri ditë para se të skadonte masa e arrestit shtëpiak për Esan Hasanin dhe Dritan Hasanin, kishte bërë kërkesë që kjo masë të vazhdohet, por kjo kërkesë ishte refuzuar nga gjykatësi i procedurës paraprake.

Gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtësi i saj, avokati Gëzim Baloku, e akuzuara Vahide Badivuku para trupit gjykues dha shpjegime për mënyrën e kontrollimit dhe arrestimit të saj në pikën kufitare në Merdare. Sipas saj, dy policë pa uniformë pasi ishin prezentuar si policë të Krimeve Ekonomike dhe të gjithë udhëtarëve iu kishin thënë që çantat t’i mbanin para vetes. Badivuku tha se ajo kishte qenë e ulur në ulësen e parë të autobusit, ndërsa të njëjtën e kishin dërguar në zyrën  e tyre dhe e kishin kontrolluar rreth njëzet minuta. Tutje, ajo tha se gjatë kontrollimit në çantën e saj të dorës i ishin gjetur 1.000 euro, ndërsa pasi e kishin pyetur se a kishte mjete tjera monetare e njëjta iu kishte treguar se në frigoriferin e vogël ishin edhe 4.000 euro tjera. Pas kontrollimit, ajo tha se ishte arrestuar dhe ishte njoftuar se ndaj saj po zhvillohet një procedurë penale nën dyshimin për veprën penale “marrje rryshfetit”.

E akuzuara Badivuku e ka mohuar kategorikisht veprën penale për të cilën akuzohet dhe thekson se paratë që i ishin gjetur në pikën kufitare në Merdare, ishin para të huazuara nga Idriz Kelmendi, po ashtu i akuzuar në këtë rast penal.

Ndërsa në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Idriz Kelmendi, avokatit Besnik Berisha, se a kishte pas njohuri Idrizi për rastin e familjes Hasani, e akuzuara Badivuku tha se kurrë nuk kishte folur as me Kelmendin e as me ndonjë pjestarë të familjes së tij për ndonjë lëndë të saj që i kishte pasur në punë si prokurore.

Gjatë shqyrtimit  gjyqësor prokurori special Admir Shala e ka ballafaquar të akuzuarën Badivuku me deklaratën e dhënë në prokurori më 23 gusht 2015, ku e njëjta kishte pranuar se në vërtetimin për sekuestrim kanë qenë të cekura shuma e parave që i ishte marrë nga ana e policisë, ndërsa në seancën e së hënës, e akuzuara tha se shumën e parave nuk e mohon, por jo edhe numrat serik të këtyre parave.

Në shqyrtimin e së hënës, është marrë në pyetje edhe i akuzuari Isak Smakolli. Ai deklaroi se e ka pranuar fajësinë në lidhje me marrëveshjen që kishte bërë me Idriz Kelmendin dhe në shkëmbim të lirimit nga paraburgimi të Esan Hasanit dhe djalit të tij Dritan Hasani, që të nëjtit t’i paguajnë 10.000 euro. I akuzuari Smakolli tha se pas lirimit të tyre nga masa e paraburgimit, me Esan Hasanin dhe djemtë e tij kishin biseduar edhe për kthimin e automjeteve të sekuestruara, ku Idrizi i kishte thënë se për kthimin e këtyre tetë automjeteve duheshin 22.000 euro. Ndërsa, sipas Smakollit, nga kjo shumë, sipas marrëveshjes, 5.000 euro kishin qenë pjesa e tij, ndërsa pjesën tjetër tha se e kishte marrë Kelmendi për ta ndarë me dikë tjetër.

Gjatë marrjes në pyetje nga avokati Besnik Berisha, ku e ka ballafaquar me deklaratat e tij të mëparshme të dhëna në prokurori dhe në polici, i akuzuari Smakolli tha se në deklaratat e para të dhëna në prokurori dhe në polici nuk e kishte treguar të vërtetën për të mbrojtur vetën dhe Idriz Kelmendin, por i njëjti deklaroi se fajësinë e kishte pranuar në prokurori më 11 shtator 2015, pasi i ishin prezentuar nga ana e prokurorit transkripti i përgjimeve dhe nënshkrimi i vërtetimit mbi sekuestrimin në pikën kufitare në Merdarë nga ana e Badivukut.

Seanca e ardhshme e shqyrtimit gjyqësor do të vazhdojë më 8 mars 2016 prej orës 09:00, ku do ta jap deklaratën e tij i akuzuari i tretë në këtë proces gjyqësor, Idriz Kelmeni.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë