Ushtroi dhunë ndaj nënës së tij për shkak të ushqimit, i pandehuri dënohet me një vit burgim dhe 500 euro gjobë

Mitrovice
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Maj 20, 2020

Vushtrri  – Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, të martën, e ka dënuar me një vit burgim efektiv dhe 500 euro gjobë të akuzuarin për dhunë në familje, A.H.

Po ashtu, të pandehurit A.H., gjykata ia ka vazhduar masën e paraburgimit derisa aktgjykimi të merr formën e prerë.

Këtë për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar mbrojtësja e të pandehurit, avokatja Fatmire Braha.

Avokatja Braha tha se i mbrojturi i saj e ka pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar dhe është shprehur i penduar për veprën e kryer.

Aktakuza për këtë rast është ngritur nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me 22 prill të këtij viti.

Sipas aktakuzës të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, A.H. akuzohet se më 21 prill 2020, rreth orës 11:05 minuta, në shtëpinë e tij, pas një mosmarrëveshje me nënën e tij rreth përgatitjes së ushqimit të kërkuar, në pamundësi që t’i sigurohet lloji i ushqimit në fjalë, i pandehuri e sulmon të dëmtuarën me shkelma e grushte në kokë e pjesë të tjera të trupit. /BetimipërDrejtësi